Muzike

Ermonela Jaho në Shkup: Sa herë ngjitem në skenë, është si hera e parë

foto e sopranos

Nga Gazeta Si - Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho ka ngjallur emocione te publiku shqiptar në sallën e Filarmonisë në Maqedoninë e Veriut në Shkup.

Në edicionin e 10-të të festivalit të Skenës së Muzikës Serioze, Jaho si e ftuar speciale e këtij edicioni shoqërohej në piano nga Pantisilena Jaho, ndërsa e ftuar ishte dhe sopranoja nga Maqedonia e Veriut, Besarta Murtezani.

Edhe pse shumë e angazhuar si soprano në aktivitetet më prestigjioze operistike botërore, Ermonela Jaho bëri hapjen e edicionit të 10-të të festivalit Skena e Muzikës Serioze.

“E lumtur dhe e nderuar të këndoj në Edicionin e 10 të Festivalit të Skenës së Muzikës Serioze në Sallën e Filharmonisë me Pantesilena Jaho në piano dhe të ftuar special, zërin engjëllor shqiptar Besarta Murtezani. Dua të falënderoj publikisht duke i shprehur mirënjohjen time një njeriu të mrekullueshëm që bëri të mundur këtë koncert, profesorin, kompozitorin, drejtuesin artistik të festivalit të Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare, Fatos Lumani. Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan për të bërë të mundur këtë koncert dhe festivalin. Aty ku mbaron fuqia e fjalëve aty fillon fuqia e muzikës”, ka shkruar sopranoja Jaho në rrjetin social “Facebook” për këtë shfaqje.

Programi koncertal që u mbajt në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë, ishte i përbërë nga arie të kompozitorëve botërorë, si Puccini, Bellini, Verdi, Gounod, Massenet dhe të tjerë.

Në një intervistë për mediat maqedonase, sopranoja Ermonela Jaho është shprehur edhe për emocionet që e kaplojnë sa herë që ngjitet në skenë. Për të emocionet janë aq të fuqishme, saqë është e njëjtë sikur të jetë hera e parë apo hera e fundit.

“Sa herë që ngjitesh në skenë për mua është sikur është hera e parë dhe hera e fundit dhe duhet të jetë ashtu, sepse duhet të besosh në atë që e bën në skenë. Për shembull një artist në qoftë se nuk shkrihet me rolin, nuk beson… në qoftë se është një rol dramatik, duhet të qash ti brenda në shpirtin tënd, që të jesh i besueshëm dhe të qaj dhe publiku, o të qeshësh do të thotë jo gjithmonë me të qarë. Unë kam interpretuar dhe interpretoj këto rolet dramatike, ndoshta sepse jam e lidhur edhe me gjakun ballkanas mund të them, që mendoja, një herë e një kohë më përpara thosha pse jemi kaq me zjarr, çdo gjë e marrim me të ulëritur, edhe të mirën edhe të keqen. Por ajo mënyra e të shprehurit mendoj që për një artist është shumë e rëndësishme, sepse jep diçka nga vendi yt, diçka që bota e ka”, është shprehur Ermonela Jaho.

Ndër të tjera, sopranoja ka folur edhe për rrugëtimin e saj drejt realizimit të një ëndrre dhe një premtimi që ia kishte bërë vetes. Artistja Jaho thotë se suksesi i saj është fryt i një pune shumë kolosale.

“Është një rrugëtim i imi dhe që kur kam qenë e vogël kam dashur që të bëhem këngëtare operistike dhe është një realizim i ëndrrës time dhe është një detyrim, një premtim që i kam bërë vetes time, dhe këto janë frytet e një suksesi, po janë frytet e një pune kolosale, kështu që mendoj…ndihem mirë kur dëgjoj vlerësime të tilla, por në fund të fundit është një punë aq e madhe drejt një ëndrre të cilën unë e jetoj dhe piqet me Ermonelën çdo ditë, kështu që është rezultat i një pune kolosale. Suksesi është një thikë me dy presa, mund të të bëj që të largohesh nga realiteti dhe të fillon ajo ndjenja e dëlirit të ndjehesh si i pakapshëm, i jashtëzakonshëm. Ose qëndro me këmbët në kokë dhe aty ku është realiteti. E mendoj që është pjesë e karakterit tim, dhe mendoj që një artist pa qenë një qenie humane, pa pasur këtë lloj energjie, pa u lidhur, pa rezonuar me njerëzit, nuk mund të jetë një artist i mirë, sepse artisti flet me gjuhën e zemrës, me gjuhën e shpirtit”, tha Ermonela Jaho.

Jaho është e njohur për rolet e saj, si Violeta, Madama Butterfly, Liu dhe shumë role të tjera në të cilat ka lënë gjurmë sa herë që i interpreton. Ajo është fituese e çmimit ndërkombëtar Muzika Vokale 2021 për albumin e saj solo “Anima Rara”.

Ermonela Jaho njihet edhe për koncertet e saj të bamirësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë