Interpelanca e zhvilluar me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj në Parlament për rrogat e futbollistëve dhe pagesat e tatimit mbi të ardhurat në burim nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe bindëse për deputetin e PS-së, Erjon Braçe.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Braçe ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal ndaj presidentit të Federatës së Futbollit Shqiptar, Armando Duka.
“Edhe një herë se mesa duket nuk kane zënë mend. 1. Evazioni fiskal në Federatën Shqiptare të Futbollit ja bën mu, madje edhe para fytyrës së Ministrit; 2. Evazioni fiskal në Federatën Shqiptare të Futbollit është ulëritës për pagat e “personelit jashtë Federatës”, por që paguhet 3.5 herë më shtrenjtë se “personeli i Federatës”, me përjashtim të rrogës së Ilirjan Shulkut; 3. Mospagimi i detyrimeve ligjore, rritet në një tjetër zë, atë të 10% qe duhet t’i ishte paguar Buxhetit te Shtetit nga të ardhurat e krijuara nga shitja e të drejtës televizive për vite me radhë; të ardhura jo tatimore, por të detyrueshme nga ligji “Për Sportin”. Kjo është e vërteta!”, shkruan Braçe.

Ai akuzon edhe ministrinë e Financave se ka heshtur përballë këtij fakti, edhe pse ka pasur një rekomandim nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke shtuar se këtë evazion fiskal veç klubeve e bën edhe vetë presidenti i FSHF-së, Duka.
“Ministri i Financave nuk mund ta mbulojë këtë të vërtetë me evazionin e rëndë fiskal me të ardhurat e klubeve (ministëer a e mban mend çështjen “Skënderbeu”), të ardhurat e trajnerëve dhe te ardhurat e lojtarëve. Për ta thënë troç: Kontratat dhe borderotë me rrogat e tyre, ashtu qesharake siç i prezantoi vërtetësisht ministri, i ka pranuar Armando Duka në Federatë dhe, vetë ministri i Financave!! Natyrisht, nuk ka si të ndodhë ndryshe me klubet, kur këtë evazion kriminal e kryen dhe e shpërndan si model Armand Duka nga Federata Shqiptare e Futbollit;
Madje i del edhe për zot tamam Armand Duka me Federatën Shqiptare të Futbollit. Kontrolli i Larte i Shtetit ka lënë detyra me shkrim për ministrinë e Financave për të vënë nën kontroll e ndalur këtë Evazion, por Armand Duka ja doli ta asfaltojë Ministrin me alibinë e ankesës në UEFA, FIFA, OKB, PNUD, UNHCR, NATO etj”, thekson Braçe.
Pikërisht për këtë arsye socialisti, i cili njihet si një kundërshtar i ashpër i Dukës ka bërë publike lëvizjen e tij të radhës, pasi interpelancës së zhvilluar në Parlament për këtë çështje me ministrin e Financave, dy ditë më parë.
“E mbani mend besoj! Thënë te gjitha këto, përgjegjësinë për evazionin në Federatën Shqiptare të Futbollit, por edhe evazionin me të ardhurat e klubeve të futbollit, nuk e kam unë tifozi!
Armando Duka është mësuar t’i shajë tifozët me nënë e motër, “robtë” gjithashtu, ndaj stadiumet janë bosh, por nuk mund ta bej këtë edhe ministri përgjegjës për luftën kundër evazionit!
Ju thashë, hapi i radhës është shumë i qarte: Kallëzim penal për evazion fiskal dhe shpërdorim të detyrës!!”, shkruan Braçe në Facebook.
Në interpelacën kuvendore, ministri i Finacave, Ahmetaj u shpreh se “e vërteta është që këtu ka nevojë për formalizim. Duket sikur me këto listëpagesa këta futbollistë nuk kanë pasur mundësi që të hanë për të qëndruar në këmbë, jo më për të luajtur futboll në fushë”.

Për të ilustruar idenë e tij se sot problematika më e madhe e sportit është informaliteti në paga, tregoi me radhë pagesat për disa futbollistë të Kategorisë Superiore.
E gjithë përgjigja e ministrit Ahmetajt nuk e kënaqi Erjon Braçen.
“Nuk pyeta sa paguhen nga klubet e futbolli e lojtarët në këtë vend. Pyetja që ngre prej muajit shkurt është se sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga FSHF? Sa është 10 përqindëshi që i takon buxhetit nga e drejta televizive që ka tregtuar FSHF në dhjetë vitet e fundit? Këto ishin dy pyetjet për të cilat nuk mora përgjigje. Që në shkurt, i kam kërkuar Ministrisë së Financave informacion mbi tatimin në burim për të ardhurat nga paga, shpërblimet, honoraret dhe bonuset që janë paguar nga FSHF në 8 vitet e fundit. S’kam marrë ende përgjigje”, u përgjigj Braçe.
Fundi i fjalës së Braçes u kalua në heshtje nga deputetët socialistë, përveç njërit. Bashkim Fino, që në zgjedhjet e fundit për Presidencën e FSHF-së garoi përballë Armand Dukës, i ulur nga fundi i sallës u ngrit në këmbë dhe duke duartrokitur fort i kërkoi Arben Ahmetajt që të bëjë detyrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.