Analize

Erdogan, fituesi i madh i luftës Rusi-Ukrainë

Gazeta Si - Kur luftojnë dy vetë, fiton një i tretë dhe i treti në rastin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës duket se do të jetë Turqia. Erdogan e ka vendosur veten në barazlargësi nga Moska dhe Kievi, ku nga njëra anë i është bashkuar Perëndimit për të dënuar ofensivën luftarake ruse në Ukrainë dhe nga ana tjetër duke kundërshtuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe duke kaluar në heshtje thirrjen e Ukrainës për të mbyllur Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet e Putinit.

Qëndrimi i Turqisë në këtë konflikt nuk është më shumë parimor, apo pacifist se sa ekonomik e financiar dhe oferta e Rexhep Taip Erdogan për të ndërmjetësuar një takim mes Putin dhe Zelenskit duhet parë pikërisht në këtë këndvështrim.

Pse? Turqia gëzon marrëdhënie të mira me të dyja vendet, aq sa paradoksalisht si vend anëtar i NATO-s bleu sistemin antiajror rus S-400 dhe i shet dronët vendas Bayraktar TB2 Ukrainës, me të cilën edhe ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe miliarda dollarëshe për prodhimin e përbashkët të këtyre dronëve në Ukrainë.

Me Rusinë, bashkëpunimi është më shumë tregtar dhe ekonomik se sa ushtarak. Sipas të dhënave të OECD, në 2021 volumi tregtar mes dy vende përllogaritej në rreth 30 miliardë dollarë, ku Rusia eksportoi mallra e produkte me vlerë rreth 22 miliardë dollarë, ndërsa Turqia eksportoi produkte me vlerë 8 miliardë dollarë.

Ky volum është rritur me 33 për qind në krahasim me nivelin e tregtisë mes dy vendeve në 2019, kur volumi tregtar ishte rreth 20 miliard dollarë. Por, ambicia e përbashkët dhe e Erdogan dhe Putin është arritja e shkëmbimit tregtar në vlerë 100 miliardë dollarësh.

E në përmbushjen e këtij objektivi, lufta në Ukrainë mbërrin si dhuratë nga qielli për Erdogan. Sanksionet e forta të perëndimit dhe BE-së do ta shtyjnë gjithnjë e më shumë Rusinë drejt gjetjes së tregjeve alternative. Putin ka nënshkruar një sërë marrëveshjes me Kinën për të shitur gazin e naftën dhe shmangur sanksionet e Perëndimit. Por, infrastruktura përcjellëse e tyre për në Kinë është modeste dhe nuk mund të përballojë sasinë që Rusia synon të eksportojë.

Kjo do të shtyjë Rusinë që të pompojë më shumë gaz e naftë drejtë tregjeve me infrastrukturë të ngritur, e ku për më tepër çmimi është më i lartë. Turqia është njëri prej tyre, që mund të shërbejë edhe si urë e Moskës për të transportuar përmes Mesdheut gazin e naftën e vet drejt aty pak vendeve që nuk do t’u bashkohen sanksioneve.

Vetë rritja e fluksit të tregtisë me Rusinë do të ulte ndjeshëm çmimet e energjisë në Turqi, që vitin e kaluar u godit nga inflacioni galopant, ku çmimi i energjisë u trefishua brenda pak muajve. E thënë më thjesht, armët që Putin po përdor në Ukrainë, Erdogan po përpiqet që t’i përdorë për të luftuar inflacionin në vend dhe rritur mundësitë për një rizgjedhje më qershor të vitit të ardhshëm, kur turqit do të votojnë për presidentin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë