Kosova

Engel: SHBA duhet të verifikojë punën e Speciales, të ndërpresë bashkëpunimin nëse hetohen vetëm shqiptarët

Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të dorëhequr, Hashim Thaçi, dhe disa ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Engel deklaroi se Hashim Thaçi tregoi respektim ndaj ligjit, kur dha dorëheqje nga posti i presidentit, ndërsa shtoi se Kongresi do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale për të siguruar se ajo siguron sundim të ligjit dhe të drejtat e të akuzuarit në çdo rast.

Engel, përmes një deklarate për media, ka kritikuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – duke shprehur shqetësimin mbi mandatin e kësaj gjykate. Sipas tij, statuti mbi të cilin është ngritur ajo nuk e limiton gjykimin në vetëm të shqiptarëve. “Dua të shpreh shqetësimin tim serioz lidhur me atë se si gjykata ka ushtruar mandatin e saj. Statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët. Ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës. Fatkeqësisht, kjo gjykatë duhet se vepron si një gjykatë etnike – që ndjek vetëm shqiptarë që pretendohet se kanë kryer krime.

“E kuptoj se Qeveria serbe dhe zyrtarët ushtarakë që kanë qenë të përfshirë në gjenocid janë larg fushëveprimit të Gjykatës Speciale. Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të hetojë dhe gjykojë keqbërësit sipas ligjit, qoftë edhe gjykime në mungesë. Prandaj, i bëj thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë që të ekzaminojë punën e Gjykatës Speciale dhe të sigurohet se nuk po shënjestrën njerëzit vetëm në bazë të etnisë së tyre dhe bëj thirrje që të ndalohet mbështetja dhe bashkëpunimi i SHBA-së me këtë gjykatë, derisa të dalin përfundime lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Sipas Engel, të gjithë personat që kanë kryer krime lufte duhet të gjykohen, ku që prej mbylljes së Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, personat në Serbi, që kanë kryer krime, nuk janë më subjekt i drejtësisë ndërkombëtare. Ai ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, për të cilët thotë se “nuk kanë gjetur drejtësi, edhe pse kryesit janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi”.

Engel i ka bërë thirrje Departamentit të shtetit të SHBA-së dhe Departamentit të Drejtësisë që të verifikojnë punën e Gjykatës Speciale për të siguruar se nuk po shigjeton vetëm njerëz në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe të ndalojë bashkëpunimin ose mbështetjen e SHBA-së me Gjykatën, nëse vërtetohet se po e bën një gjë të tillë.

Më 5 nëntor, Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit të deritanishëm të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës. Një ditë më herët, aktakuzat i janë konfirmuar edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë