Lajme

Ende në arrati, çështja e Agim Kajmakut kalon për gjykim

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të kalojë për gjykim çështjen e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Kajmaku është në kërkim prej katër muajsh, por duket se gjyqi do të fillojë edhe pa praninë e tij.

Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëherë Kajmaku nuk është shfaqur.

Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se kishte fshehur dënimin në Greqi. Prokuroria e akuzon kryebashkiakun për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Agim Kajmaku është ende në arrati. Akuza e fundit që rëndon ndaj tij ka lidhje me emërimin në detyrë të ish-drejtorit të kabinetit të tij, Gentian Picari, të cilin e emëroi zëvendëskryetar bashkie menjëherë, pasi KQZ e shkarkoi nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë