Futboll

Emre Çan u shkruan njerëzve në izolim: Koha për pak humanizëm

Sapo përmendet solidariteti i futbollistëve të njohur ndaj personave në nevojë, menjëherë mendja shkon në kontributin e tyre financiar, duke ditur të ardhurat e mëdha që kanë. Por Emre Çan ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të inkurajuar njerëzit në këtë periudhë shumë të vështirë për gjithë botën. Ai është miku i penës për njerëzit në karantinë.

Mesfushori gjerman nuk u drejtohet personave të impenjuar në vijën e parë të frontit, mjekëve dhe infermierëve, por atyre që janë detyruar të izolohen në shtëpi për shkak të masave të rrepta që janë marrë nga qeveria. Ish-futbollisti i Liverpulit dhe Juventusit, aktualisht pjesë e Borusia Dortmund, i është bashkuar nismës “Stift und Papier” (letër dhe penë) që ka si qëllim të lehtësojë këtë periudhë karantine për ata që gjenden larg të dashurve të tyre.

Emre Çan, mesfushori i kombëtares gjermane. Gazeta Si, 28 mars 2020

"Në një periudhë delikate si kjo që po kalojmë, duhet të tregojmë pak humanizëm”, - ka thënë futbollisti gjerman për “Bild”. Emre Çan ka shpjeguar me detaje si funksionon projekti: "Sapo i bashkohesh kësaj nisme, merr emrin e një personi që është i detyruar të jetojë në izolim dhe të mos shohë askënd, as të afërmit e tij. Bëhet fjalë për burra dhe gra që nuk kanë kontakte me botën jashtë. Kemi nevojë vetëm për një letër dhe një stilolaps. Në këtë moment, humanizmi është partneri ynë më i mirë".

Mesfushori i kombëtares gjermane thekson se edhe pa qenë pjesë e kësaj iniciative, të gjithë mund të bëjnë diçka për të tjerët. "Mund të bëhet edhe brenda familjes. Dërgojini disa rreshta në një letër të afërmve tuaj, mbani kontakte të shpeshta me ta. Shkruajini një gjysheje, një gjyshi, një halle që nuk e shihni prej shumë kohësh. Ata kanë nevojë". Kjo është thirrja e Emre Çan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë