Futboll

Empoli me tre shqiptarë në fushë, Asllani debuton 19 vjeç në Serinë A

Të debutosh në Serinë A në moshën 19-vjeçare nuk është aspak e lehtë. Ia ka dalë elbasanasi Kristjan Asllani, mesfushori që luan për Empolin dhe që shumë shpejt do të jetë një vlerë e shtuar edhe për Kombëtaren.

Asllani hyri në fushë bashkë me Nedim Bajramin në minutën e 83-të të ndeshjes me Kaljarin, ku Empoli fitoi me rezultatin 0-2. Ishte fitorja e dytë në kampionat dhe po e dyta në transfertë për këtë skuadër. Po në pjesën e dytë u aktivizua edhe mbrojtësi Ardian Ismajli dhe për Empolin ishin në fushë tre shqiptarë në të njëjtën kohë.

Asllani feston një gol me të rinjtë e Empolit. Gazeta Si, 23 shtator 2021

Për herë të parë Bajrami dhe Ismajli e nisën nga stoli ndeshjen, ndërsa aktivizimi i Asllanit është për t’u shënuar në kalendar. Elbasanasi është rritur te akademia e Empolit, ka luajtur për ekipet e moshave dhe tashmë ka marrë edhe besimin e trajnerit Andreacoli te të rriturit.

Asllani ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave, aktualisht luan për U-21-shin. Trajneri Edi Reja me siguri e ka nën vëzhgim, aq më tepër tani, pas debutimit në Serinë A. 19-vjeçari luan në qendër të mesfushë, përpara mbrojtjes, por edhe më i avancuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë