Ne rrjet

Emiratet njohën Izraelin, Erdogan: Do pezullojmë marrëdhëniet diplomatike

Turqia ka kërcënuar se do të pezullojë  marrëdhëniet e saj diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe një ditë pasi vendi arab njohu zyrtarisht Izraelin si shtet duke vendosur marrëdhënie diplomatike me të.

Reagimi i ashpër erdhi nga Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan gjatë një komunikimi me gazetarët.

Ai tha se kishte njoftuar ministrin e tij të jashtëm se "ne mund të bëjmë një hap në drejtim të pezullimit të lidhjeve diplomatike me udhëheqjen e Abu Dhabi ose tërheqjen e ambasadorit tonë atje".

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën  një marrëveshje historike paqeje që do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.

“Marrëveshja Abraham" është marrëveshja e tretë e paqes mes Izraelit dhe një vendi arab që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit në vitin 1948.

Një marrëveshje e sponsorizuar me shumë ngulm nga presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili tha se në shenjë paqeje, Izraeli do të pezullonte zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin.

Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit.

Marrëveshja u nënshkrua përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga të tre vendet thuhej se të tre udhëheqësit kishin “rënë dakord për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.

“Ky hap diplomatik historik do të avancojë paqen në rajonin e Lindjes së Mesme”, thuhej në deklaratë.

Ndërkohë, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u takua me këshilltarët e tij të lartë të enjten vonë. Zëdhënësi i tij e quajti marrëveshjen "tradhti" dhe i kërkoi Emirateve të Bashkuara Arabe që të anulonin marrëveshjen. Zëdhënësi u bëri thirrje vendeve të tjera arabe të mos e ndjekin këtë shembull "në kurriz të të drejtave palestineze".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë