Njerez

Emira, 23-vjeçarja që po ndërton bibliotekë shqiptare në Manastir: Dua që shqiptarët mos të harrojnë gjuhën

Gazeta Si- Emira Selimi është një vajzë 23 vjeçe, shqiptare e Maqedonisë e cila ka marrë përsipër një mision shumë të madh. Ajo ka nisur të ndërtojë një bibliotekë shqiptare në qytetin e Manastirit.

Selimi ka lindur dhe është rritur në Shkup. Ajo studion Shkenca Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Europës Juglindore dhe pikërisht dashuria për këtë fushë ka qenë pikënisja e nismës së saj.

“Ideja lindi kur unë fillova të hulumtoj për shqiptarët ortodoks në Manastir, në vitin 2021, konkretisht familjen Qiriazi. Më pas kisha kuriozitet për shqiptarët që kanë mbetur pasi ne kishim informacion se aty kanë mbetur 5% shqiptarë, por unë zbulova propagandën maqedonase atje”, dhe 2% ishin vetëm ato shqiptarë me mbiemra të shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve atje i kanë mbiemrat e sllavizuar.

“Kjo nënkupton se në Manastir mund të jesh gjithçka, vetëm shqiptar jo”.

Selimi tregon se shqiptarët atje e flasin shqipen me shumë vështirësi, kjo si pasojë e literaturës shqiptare, ku përpos kërkesave të vazhdueshme “që kemi bërë që të ketë një shkollë të mesme shqipe, kjo kurrë nuk është realizuar”.

Shqiptarët kishin vetëm një shkollë fillore ku mësonin “Goce Dellçev”, por tani edhe ajo po boshatiset nga shqiptarët dhe fëmijët regjistrohen në shkollat maqedonase.

Kjo, thotë Selimi, është situatë alarmante dhe “nuk kisha pse të mendohem shumë. Menjëherë fillova iniciativën për bibliotekën shqiptare duke kërkuar ndihmë nga shqiptarët në trojeve tona”.

Selimi gjithçka e nisi me një plan dhe u kujdes për çdo detaj që kjo nismë të bëhej realitet, me ëndrrën që t’i rikthejë Manastirin shqiptarëve.

Mbështetjen e parë Selimi e mori nga Universiteti i saj, më saktë nga Biblioteka dhe ngadalë numri i librave të dhuruar filloi të rritej.

Ka qenë kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili i ka dhuruar 500 libra, duke e çuar numrin e librave të mbledhur deri tani në rreth 5000.

Nisma tashmë është në fazën pothuajse përfundimtare, dhe tani duhet vetëm të rinovohet biblioteka.

“Në shtëpinë ku u themelua alfabeti ynë janë shitur pllaka por tashmë ajo pjesë do jetë e mbuluar me libra shqip, nga mesi i muajit mars”.

Ëndrra e Selimit është që shqiptarët ta kthejnë gjuhën shqipe në përditshmërinë e tyre, të rifitojnë atë që kanë humbur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë