Futboll

Emanuela Rusta, kur pasioni për profesionin mposht çdo paragjykim

Fatjon Rupi - Mbrëmjen e 1 marsit, në stadiumin “Selman Stërmasi” luhej derbi Tirana-Partizani dhe pas njërës prej portave kishte zënë vend Emanuela Rusta, e vetmja arbitre futbolli në Shqipëri me stemën e FIFA-s. Diçka e pazakontë, një tabu e thyer për ambientin futbollistik shqiptar, ku deri pak kohë më parë nuk ka pasur arbitre femra dhe jo më të gjykonin në një derbi. Ishte një risi për atë ndeshje përzgjedhja e saj në ekipin e arbitrave të kryesuar nga ndërkombëtari Enea Jorgji. Gjithçka shkoi mirë, Emanuela e kaloi me sukses provën në futbollin elitar në Shqipëri.

Po cila është vajza nga Elbasani, e cila, ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, ka vendosur “ta bëjë femër” bilbilin e arbitrimit? “Ideja për t’u bërë arbitre futbolli, - tregon Emanuela për Gazeta Si - lindi nga sugjerimi i një mikut tim. Ai më foli rreth arbitrimit në futboll dhe aty më lindi dëshira të bëhem arbitre”. Emanuela Rusta ka mbaruar Institutin e Edukimit Fizik dhe Sporteve. Ushtron profesionin si mësuese në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan, prej disa vitesh edhe atë të arbitrimit në futboll. Është pjesë e kolegjiumit të Elbasanit. Para derbit kishte arbitruar në kategoritë inferiore dhe në kampionatin e moshave.

Emanuela Rusta gjatë një ndeshjeje

Sa e vështirë ka qenë që kjo vajzë të mposhtte paragjykimet, që në Shqipëri janë të shumta? Shumë më e lehtë nga sa mund të mendohet, falë pasionit për këtë profesion dhe mbështetjes së familjes, veçanërisht të babait të saj. “Nuk është e vështirë të mposhtësh paragjykimet, nëse vërtet të pëlqen një profesion. Personalisht, kam pasur mbështetje nga të gjithë. Familja ime ka qenë mbështetja më e madhe në këtë iniciativë që kam marrë. Babai im e ka pasur shumë qejf futbollin dhe gjithmonë më ka përkrahur për këtë vendim”, thotë më tej Emanuela.

Emanuela Rusta gjatë derbit Tirana-Partizani

Ajo nuk e fsheh se emocionet e derbit Tirana-Partizani ishin të veçanta: “Futbolli ka momente mjaft interesante, pasi loja vetë është e tillë, që sjell momente të paimagjinueshme. Derbi Tirana-Partizani ishte ndeshja e parë që gjykoja në Superiore. Kam arbitruar edhe më parë ndeshje meshkujsh, por në Kategorinë e Dytë dhe në kampionatin e të rinjve. Derbi është diçka shumë e bukur për karrierën time si arbitre, pasi atmosfera të krijonte vërtet emocione të mëdha”. Emanuela Rusta është e para arbitre femër me stemën e FIFA-s në Shqipëri dhe detyrimisht modeli i saj do të ishte një arbitër mashkull, edhe ai nga Elbasani. “Modeli im në gjykim është Enea Jorgji. Flasim për arbitrat shqiptarë. Ambiciet për të ardhmen? Dëshira ime e madhe është të arrij sa më lart në këtë profesion dhe të bëhem arbitre e njohur edhe ndërkombëtarisht”, - është shprehur Emanuela në fund.

Stema e FIFA-s, e marrë nga Emanuela Rusta pak kohë më parë

Sa keq që vetëm dy ditë pas derbit të kryeqytetit në futbollin shqiptar shpërtheu dhuna ndaj arbitrave! Ishin pamje të shëmtuara ato që u panë në stadiumin e Kamzës, ku një tjetër arbitër ndërkombëtar, Eldorjan Hamiti, u dhunua fizikisht nga drejtuesit e ekipit vendës. Momente të vështira, por që sigurisht nuk e zbehin pasionin e Emanuela Rustës për arbitrimin. Së shpejti me siguri do ta shohim atë të arbitrojë edhe ndeshje ndërkombëtare. Pasioni për profesionin, siç ajo vetë e pohon, mposht çdo vështirësi dhe paragjykim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë