Muzike

Elsa Lila rikthehet në Festivalin e RTSH, shpallet lista e këngëtarëve pjesëmarrës

Nga Gazeta Si - Elsa Lila është zyrtarisht një nga 26 këngëtarët e përzgjedhur, për edicionin e 61-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Në listën e publikuar, bëhet i ditur edhe titulli i këngës së artistes që është në italisht, “Evita”, pra “Shmang”. 

Dalja në skenë e këngëtares vjen, pas arrestimit në Itali për përfshirje me një grup kriminal, proces në të cilin arriti të fitojë pafajësinë.

Këngëtarja e njohur shqiptare i rikthehet skenës pas një periudhe të gjatë. Në Festivalin e Këngës, ajo ka lënë gjurmë me këngët si “Larg urrejtjes” dhe “Pyes lotin”, ndërsa në vitin 2007 mori pjesë edhe në “Sanremo” në Itali.

Elsa Lila me këngën "Larg urrejtjes", fituese e Festivalit në vitin 1997

Në vitin 2017 në edicionin e 56-të të Festivalit, këngëtarja Elsa Lila u rikthye si e ftuar speciale ku performoi para publikut një kolazh këngësh të njohura të muzikantëve të mëdhenj si Vivaldi dhe Bethowen, ndërsa do të rrëfente me shumë emocion ndjesinë e rikthimit në skenën e madhe.

Këngëtarja Elsa Lila në vitin 2017

Pjesë e Festivalit të Këngës në edicionin e 61-të do të jenë edhe emra të tjerë të njohur skenës shqiptare si Manjola Nallbani, Rovena Dilo e Rezarta Smaja.

Për këtë vit, si kandidatë për fitues të Festivalit të fundvitit, që do të prezantojë vendin në Eurovizion 2023, në Liverpul të Britanisë së Madhe janë 22 këngëtarë dhe 4 grupe.

Pra në total do të jenë 26 performanca nga artistë që do të konkurrojnë për vendin fitues dhe që më pas do të përfaqësojë vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023”.

Në konkurrim, përpos emrave të njohur të skenës muzikore, janë edhe artistë të rinj, të cilët synojnë të prekin skenën më të madhe të muzikës shqiptare.

Festivali i 61-të të Këngës në RTSH do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tretë; 1 çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe 1 çmim për karrierë. Por ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve.

Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria.

Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit, vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023” që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku.

Artisti - Kënga

1. 2 Farm – Atomike

2. Alban Kondi & Lorela Karoshi – Melodi

3. Albina Kelmendi – Duje

4. Anduel Kovaçi – Malli

5. Arsi Bako – Sonte dua të jem me ty

6. Melodajna Mancaku – Gjysma e zemrës sime

7. Elsa Lila – Evita

8. Enxhi Nasufi – Burrë

9. Erma Mici – Kozmosi i dashurisë

10. Evi Reçi – Ma kthe

11. Fabian Basha – Një gotë

12. Fifi – Stop

13. Franc Koruni – Në pritje

14. Genti Hoxha – Ajër

15. Gjergj Kaçinari – Dje

16. Luna Causholli – Jetën ta fal

17. LYNX – Nëse ke besim

18. Manjola Nallbani – Dua

19. Permit of Stay – Fobia

20. Petrit Çarkaxhiu – Emri yt mirësi

21. Rezarta Smaja – N’Eden

22. Rovena Dilo – Motit

23. Sara Kapo – Para teje

24. Serxhio Hajdini – Vështirë

25. Urban Band – Në çdo hap

26. Vanesa Sono – Aroma jonë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë