Futboll

Eliminim dramatik për Egnatian, jashtë dhe Vllaznia. Shqipëria mbetet me 2 ekipe në Europë

Gazeta Si – Egnatia dhe Vllaznia janë eliminuar nga Liga e Konferencës. Tashmë Shqipëria mbetet vetëm me dy skuadra në turin e dytë të këtij kompeticioni, Partizanin e eliminuar nga Championsi dhe Tiranën, e vetmja që u kualifikua.

Eliminim dramatik për Egnatian në aventurën e saj të parë europiane. Rrogozhinasit barazuan 4-4 në ‘Elbasan Arena’, ndërsa te penalltitë fati ishte me armenët e Ararat, që shënuan 4 gjuajtjet që kryen, kurse lojtarët e Egnatias vetëm 2 nga 4. Ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1.

Deshperimi i lojtareve te Egnatias pas eliminimit. Gazeta Si, 20 korrik 2023

Mungesë eksperience për Egnatian, që kaloi 3 herë në avantazh, por në të tre rastet u barazua, madje u ndëshkua edhe me golin e 4-t. Fernando, Kasa dhe dy herë Duamena në shtesë shënuan për ekipin e drejtuar nga trajneri Tetova. Koha e rregullt u mbyll 2-2, kurse pas 120 minutash tabela e rezultatit shënonte 4-4.

Portieri i Ararat priti dy penallti, ato të Zejnullait dhe Kacbufit, kurse armenët u treguan të saktë në 4 penalltitë që gjuajtën. Festa u takoi atyre, pasi e shohin veten në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Ndeshja ishte mjaft e bukur, me 8 gola dhe emocione.

Vllaznia ka fituar sot 1-0 në “Loro Boriçi”, por kjo nuk ka mjaftuar. Skuadra shkodrane është eliminuar që në turin e parë, sepse ishte mundur 3-1 një javë më parë nga Linfild në Belfast. Nga lojtarët dhe drejtuesit e Vllaznisë pati pretendime edhe për penallti të mohuara.

Bekim Balaj shënoi golin e fitores për Vllazninë, duke ndezur shpresat e tifozëve shkodranë për ta çuar kualifikimin të paktën në shtesë, por goli i dytë mbeti vetëm një dëshirë. Skuadra e Memellit lan duart me Europën për këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë