Drejtësia

Ekzekutohet vendimi i gjykatës ndaj Berishës, si do veprojë policia për mbikëqyrjen e zbatimit të masës

Gazeta Si - Oficerët e policisë i kanë komunikuar Sali Berishës në banesën e tij vendimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, pak pasi GJKKO pranoi të miratojë kërkesën e SPAK, në lidhje me dosjen “Partizani”.

Në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, oficerët ekzekutuan vendmin e GJKKO-së, ku thuhet se Berisha do të mbikëqyret me forca policie dhe i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre me të cilët jeton.

Por si do të aplikohet kjo masë? "Arresti i shtëpisë" do të mbikëqyret nga SPAK dhe shërbimet gjyqësore që do të thotë: SPAK u lë detyrë policëve  (që ngarkon një apo dy të tillë) të trokasin çdo ditë në derën e Berishës dhe verifikojnë nëse është aty apo jo.

Orën e vendosin vetë ata; pra, nuk rri polici tek dera, por e realizon mbikëqyrjen në këtë formë. Efektivi mban shënim nëse Berisha është në shtëpi dhe largohet.

Kështu, në adresën Rruga “Mustafa Matohiti“, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, ata do të verifikojnë nëse Berisha është në banesë.

Pasi ekzekutuan vendimin e gjykatës, oficerët e policisë gjyqësore janë larguar nga banesa e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Prej këtij momenti, Berisha do të vihet në mbikëqyrje policore dhe nuk ka të drejtë të komunikojë me persona jashtë familjes.

Vendimi I GJKKO-së, erdhi pas kërkesës së SPAK se Berisha nuk zbatoi urdhrin e mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë