Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë ekzekutuar me armë zjarri brenda në automjet pak pas mesnate në qytetin e Shkodrës. E gjithë skena makabre ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.
Dy viktimat janë Boran Bërcama, 30 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja Silvi Ndoci, 25-vjeçe.
Ata janë gjetur të vrarë rreth orës 06:00 të kësaj të diele brenda në automjetin e tyre “Mercedes Benz” me targa AA 006 HA, në një rrugicë të ngushtë poshtë apartamentit ku banonin me qira. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Naim Gjylbegu” .
Nga e gjithë skena e krimit dhe mënyra sesi janë ekzekutuar dy të rinjtë, për më tepër në sy të minorenit, dyshohet se autorët e kanë mirëorganizuar gjithçka me paramendim.
Burime nga policia thonë se ndaj të rinjve është qëlluar të paktën 20 herë, që dëshmohet edhe nga gëzhojat e armëve të zjarrit që janë gjetur në terren.
Dyshohet se autorët mund të kenë qenë disa persona, ndërkohë që motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende. 30-vjeçari Boran Bërcama ka qenë punonjës i policisë në Komisariatin e Pukës deri pak muaj më parë, kur është dorëhequr.
I riu nuk rezulton me precedentë penalë, ndërkohë që mes pistave që po hetohen paraprakisht është edhe ajo e vrasjes për shkak të detyrës së Bërcamas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.