Lajme

Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra për shkak të detyrës

Vrasja e avokatit Ravik Gurra një natë më parë në qendër të qytetit të Elbasanit ka ndodhur për shkak të detyrës. Në këtë konkluzion arrin hetimi paraprak i ngjarjes së rëndë, ndërsa çështja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Policia nuk ka asnjë të dyshuar dhe jo më të arrestuar për atentatin ndaj 50 vjeçarit i cili ka qenë mik i fisit Çapja në Elbasan, fis i përfshirë në një histori të përgjakshme hakmarrjeje, që ka lënë disa të vdekur ndër vite. Gurra ishte avokat në procesin gjyqësor të fisit Çapja, si edhe avokat mbrojtës i Emiliano Shullazit, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit në vend.
Ravik Gurra ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali në Elbasan, kur u qëlluar me armë zjarri rreth orës 19:35 të së premtes, një kohë kur gjithë vëmendja ka qenë në Shkodër për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Turqisë. Avokati humbi jetën në vend pavarësisht ndihmës së parë që iu dha nga personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Autori i krimit u largua me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira, ndërsa pak pas vrasjes së avokatit Ravik Gurrës u gjet një makinë e djegur. Automjeti tip “Benz” u gjet nën flakë në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit. Autorët janë kujdesur që përmes djegies së makinës të zhdukin çdo provë.
Vrasjen e Gurrës e dënoi Dhoma e Avokatisë, që kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve të krimit. Ndërkohë ish deputeti i PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi tha se qyteti është nën terrorin e bandave.
Vrasja e avokatit Ravik Gurra pason një sërë ngjarjesh të rënda në vend në këto ditët e fundit. Tirana, Shkodra dhe Elbasani janë tronditur nga atentatet dhe ekzekutimet. Përjashtuar vrasjes së Liqeni, kur autori u vetëdorëzua, ngjarjet e tjera janë pa autorë.

 

Më Shumë