Dosje

Rikthehen përplasjet mes familjeve kriminale. Ibrahim Liçi në kërkim për vrasjen e 32-vjeçarit në Shkodër

Një ditë pas ekzekutimit mafioz të 32-vjeçarit Endri Mustafa në Shkodër, policia ka shpallur në kërkim autorin kryesor të dyshuar të vrasjes.

Ai është Ibrahim Liçi, 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër. Ky i fundit, është emër i njohur për policinë, pasi rezulton i përfshirë edhe në ekzekutimin e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali në Shkodër, ngjarje  e ndodhur në vitin 2019, për të cilën 28-vjeçari u shpall në kërkim si autor i dyshuar i krimit.

Policia thotë se ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, në lagjen Guerrile, Shkodër, ku u gjet i vrarë Endri Mustafa.

Po ashtu, është arrestuar 15-vjeçari E.M., i cili dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 32-vjeçarit, si dhe E.A.i., 26 vjeç, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Viktima Endri Mustafa dhe vendi ku u gjet i ekzekutuar

Gjatë ditës së djeshme në Policinë e Shkodrës janë shoqëruar 8 persona, të cilët dyshohet se kishin dijeni për këtë ngjarje të rëndë, ndërkohë që pas disa orësh hetime policia ka ndaluar dy prej tyre. Mustafa është një emër i njohur në Shkodër si person me precedentë penalë dhe i lidhur me grupe kriminale të qytetit.

I riu, baba i tre fëmijëve, u vra në mënyrë makabre, ku u qëllua me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

32-vjeçari u gjet i vrarë 3 ditë pasi familja e tij e kishte denoncuar si të zhdukur. Viktima, ka qenë i arrestuar më parë dhe i dënuar për plagosje.

Mustafa dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të Astmer Bilalit në Shkodër, i cili prej vitesh ka qenë në konflikt me familjen Liçi për shkak të hakmarrjeve dhe kontrollit të territorit për veprimtari të paligjshme. Një përplasje, e cila është shoqëruar me viktima të shumta nga të dyja palët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë