Politike

Ekstremistët malazezë: Mur me Shqipërinë për të ndaluar mafien!

Duke marrë shembull nga politikat e presidentit Donald Trump një politikan nga Mali i Zi ka bërë një deklaratë të pazakontë, duke kërkuar ngritjen e një muri më Shqipërinë, për të ndaluar mafien shqiptare.

Kreu i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojevic ka premtuar ngritjen e një muri me Kosovën dhe Shqipërinë nëse vjen në pushtet. Partia e zotit Medojevic zë 5 nga 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi.

Sipas tij, shqiptarët kanë bandat më të fuqishme në rajon dhe ngritja e një muri do të ndalonte përhapjen e krimit në vendin e tij.

Opozitari Medojeviç, i cili në vitin 2008 kandidoi pa sukses për president edhe me mbështetjen e disa partive minoritare shqiptare, aludoi se disa nga këto të fundit tani po përfitojnë financiarisht.

Duke postuar një grafik të rrugëve ilegale të trafikimit në Ballkan, sipas tij, lidhjet me kriminelët janë shfrytëzuar edhe nga politikanë të rajonit, mes tyre kryeministri shqiptar dhe shtetarë të Kosovës.

“Nuk kam dyshim se mafia shqiptare përkrah shumë parti politike dhe politikanë në Malin e Zi. Këtu flas kryesisht për socialdemokratët në pushtet, por edhe partitë dhe politikanët shqiptarë që bashkëpunojnë me të dhe që janë bërë milionerë brenda natës. Shërbimet sekrete malazeze kanë të dhëna për veprimtaritë e Naser Kelmendit, Lukës apo vëllezërve Osmani dhe kontaktet e tyre me Thaçin, Haradinajn, Ramën", deklaroi ai.

Kjo deklaratë ka sjellë edhe reagimet e politikanëve shqiptarë në Mal të Zi, të cilët e kanë dënuar ashpër Medojevicin për politikat populiste. Nikollë Gegaj tha se pikëpamjet e Medojevicit nxisin urrejtjen fetare dhe urrejtjen etnike.

Nga ana tjetër, Fatmir Gjeka, kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit, ka thënë se këto janë deklarata shokuese.

Pas reagimeve të shumta, Medojevic sqaroi se kjo deklaratë ishte ekskluzivisht bërë kundër mafias shqiptare dhe bashkëpunimit të saj me atë malazeze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë