Ekspozite

Ekspozita ‘Ngjyrat e jetës’, mjekja kirurge derdh emocionet e bisturisë në pikturë

Nga Gazeta Si - Është mjeke kirurge prej vitesh, por gjithmonë e apasionuar pas të bukurës e pikturës. Lida Shosha nisi ta ushqejë këtë pasion rreth 7 vite më parë...

Tanimë 30 vepra të punuara prej saj dhe të ekspozuara në Galerinë FAB, sjellin një profil tjetër të gruas, figura e së cilës është e lidhur me Mjekësinë.

E dashuruar me të bukurën, Shosha ka ravijëzuar në tablo pamje që të çlirojnë teksa i shikon.

Ajo do të rrëfejë për Gazetën “Si” se pasioni për pikturën i lindi në mënyrë spontane.  

“Një ditë të bukur blej një telajo dhe disa bojëra dhe filloj të hedh pikturën e parë. Ishte një buqetë me trëndafila, pasi e mbarova ju drejtova nënës: ‘a të pëlqen?’. Më tha më pëlqen shumë, ta kam falur i thashë. Pra piktura e parë është dhuratë për nënën time”, rrëfen mjekja zanafillën e pikturimit për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “nuk është e lehtë gjithmonë për të pikturuar sepse piktura do kohën e vet, të gllabëron dhe ti humbet komplet kontaktin me pjesën tjetër kur fillon të pikturosh”.

Siç tregon vetë mjekja Shosha, piktura erdhi si nevojë e brendshme e nxitur prej punës e kontaktit të përditshëm me pacientët, si një nevojë për të çliruar shpirtin, për të derdhur emocionet e forta që përjeton një kirurg në sfidat e mëdha që ka me njerëzit.

“Duke qenë se në profesionin tim real jam kirurge, përdor orët e natës për të çliruar shpirtin tim dhe orët e ditës për të trajtuar pacientët e mi. Gjatë natës kur mbizotëron një qetësi absolute, hedh emocionet e shpirtit tim. Në profesionin e kirurgut ne jemi shumë të sfiduar. Me pacientë, me situata nga më të ndryshmet, me gjendje shumë të rënda. Mendoj se çdo njeri duhet të bëjë një reflektim. Do doja që me anë të ekspozitës dhe ngjyrave të jetës, të shpreh optimizmin për jetën dhe të jap mesazhin që pavarësisht vështirësive dhe sfidave, ja vlen të luftohet, ja vlen të jetohet”, vijon më tej mjekja e apasionuar pas së bukurës.

Ekspozita “Ngjyrat e jetës” vjen me tre komponentë. Është sektori i gruas, sektori i floralit ose i luleve dhe abstraksioni, të cilat ajo i sheh si fusha për t’u eksploruar.

Titulli “Ngjyrat e jetës” për të vjen edhe si një mesazh që jeta përpos sprovave që na përball nuk i humbasin koloret.

“Jeta është shumë e bukur me kolore, nuk është bardhezi. Jeta ka ngjyra dhe ngjyrat çlirojnë optimizëm, motivojnë, dhe i japin një dozë kënaqësie shpirtit njerëzor.  Ngjyrat e jetës është një mesazh që njeriu brenda vetvetes ka forca të jashtëzakonshme. Shpeshherë nuk e di se sa i fortë është, por kur vjen përballja, atëherë e kupton që ka fuqi të pashtershme për të luftuar dhe për të mbijetuar”, vijon më tej mjekja.

Tablotë që kanë figurën e gruas, ajo i sjell me mesazhin e qartë për të fuqizuar rolin e gruas në shoqërinë shqiptare.

“Një pjesë e mirë e shoqërisë, gratë i paragjykon si krijesa të brishta, por vetë qenia e tyre ka brishtësinë, qëndresën, vuajtjen, lodhjen, por ka dhe suksesin dhe forcën për të ecur para. Gratë duhet të kenë një rol më të fuqishëm në shoqërinë shqiptare, duhet të kenë një vlerësim real dhe duhet t’u jepet vendi që e meritojnë prej shumë kohësh”, shprehet mjekja, ndërsa shton se “shoqëria shpesh e ka zakon të paragjykojë një grua kirurge, ministre, gazetare, avokate. Edhe në kirurgji bindshëm dominohet nga gjinia tjetër”.

Ndërsa sektorin e luleve, mjekja e konsideron si një çlodhje shpirti, që truri të qetësojë vetveten pas sfidave me pacientët.

Pikturat e Shoshës, kryesisht janë dhuruar, e në fokus të këtij akti kanë qenë pacientët e saj.

“Në pavijonin e kirurgjisë ku unë punoj janë ekspozuar rreth 20 piktura në muret e pavijonit, këto janë dhuratë që unë i kam bërë pavijonit të kirurgjisë, për të pasuruar hollet e kirurgjisë. Pikturat sjellin në fakt jo vetëm optimizëm, por edhe shpresë sidomos në një pavijon spitali ku pacientët janë nën trysninë e dhimbjes fizike dhe shpirtërore dhe sigurisht kam dashur të jap një mesazh i cili është një mesazh optimizmi për jetën”.

Sipas saj, pikturat e ekspozuara në Kirurgji japin efekt jo vetëm te pacientët, por edhe te familjarët e tyre.

“Jo vetëm pacientët që i shikojnë por edhe familjarët e tyre habiten. Madje nuk e besojnë që janë vepra të realizuara nga unë”.

Duke e konsideruar jetën si një telajo të madhe, përpjekja e saj e përditshme është që të hedhë sa më shumë kolore dhe të mbushë gradualisht telajon e jetës së saj.

Edhe pse piktura për kirurgen, është thjesht një pasion dhe ajo e konsideron veten amatore, në to vihet re një artiste e angazhuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë