Biznes

Eksportuesit kërkojnë tregje të reja: Euro po “na zhyt”, kriza e pafavorshme

Efekti i rënies së euro në buxhetin e shtetit deri më tani është 1,9 mld lekë për 2019 dhe mendohet të arrijë deri në -2,5 mld lekë deri në fund të vitit sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ndërhyri në muajin tetor duke blerë 400 mln euro në treg, efekti qe i papërfillshëm dhe nuk e stabilizoi kursin e këmbimit.

Muaji nëntor ka regjistruar një euro në rënie. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, më 1 nëntor një euro është këmbyer me 123,19 lekë, kurse dje me 122,56 dhe sot 122,3.
Kurse në agjencitë e këmbimit valutor një euro ditën e djeshme është këmbyer me 121,3 lekë.


Por për Bankën e Shqipërisë, sjellja e kursit të këmbimit është normale dhe nuk ka cënim të objektivit të inflacionit si rezultat. Por Banka sipas deklaratave periodike të guvernatorit Gent Sejko e ka nën monitorim të vazhdueshëm sjelljen e Kursit të Këmbimit.

Megjithatë, viktimë e kësaj përsiatje të pambarimtë të zhvlerësimit të euros janë eksportuesit, kryesisht biznesi fason.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve të Shqipërisë me të cilin gazeta “Si” pati një bisedë telefonike, tha se po merrte pjesë në një panair lëkurash dhe këpucësh në Stamboll duke e parë Turqinë si një mundësi për të gjetur një treg të ri sepse zhvlerësimi i euros i ka ngrënë të gjitha fitimet.

Florian Zekja, Unioni i fasonistëve të Shqipërisë

“Prej më shumë se dy vitesh po përjetojmë një situatë shumë të keqe, të paimagjinueshme. Turqia po mendojmë të jetë një treg i ri për ne pasi po sanksionohet nga Europa për shkak të luftës me kurdët, kështu që do të kemi leverdi të dyja palët. Po përpiqemi të diversifikojmë tregjet dhe kontratat e reja ti lidhim me kursin aktual”- thotë Zekja për gazetën “Si”.

Ende pas gati dy vjetësh, shpjegon ai, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave nuk po identifikon arsyet e rënies drastike të euro.

Kemi kërkuar takim si me BSH dhe Ministrinë e Financave, thotë ai, dhe nuk kemi asnjë përgjigje. “E vetmja përgjigje është se tregu është i lirë”- shprehet Zekja.
Ai thotë se kontratat e vjetra të lidhura 3-4 vite më parë funksionojnë me kursin e vjetër dhe humbja është shumë e madhe; “nuk kemi investuar, nuk kemi hapur vende të reja pune, kemi prishur fitimet tona. Nuk vazhdohet më kështu, por sa situata politike duket sikur qetësohet dhe përpiqemi të bisedojmë, lind diçka tjetër. Kjo situatë nuk është në favor për ne sepse askush nuk e kthen vëmendjen tek eksportuesit”- shpjegon Zekja

Zekja mendon se ndërhyrja në treg e BSH-së nuk ka sjellë efekt që të sjellë qëndrueshmëri në kursin e këmbimit. “Frymëmarrja ka qenë pak ditë dhe kaq. BSH ka ndërhyrë tre herë dhe kjo për mua është e gabuar. Duhet gjetur shkaku”- shpjegon Zekja.

Eksperti Zef Preçi e sheh me shqetësim mungesën e qëndrueshmërisë së euros.
Edhe sipas tij ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit, nuk ia ka arritur qëllimit që të ruajnë padyshim një kërcënim real për ekonominë dhe demokracinë në vendin tonë.

Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Ai e shpjegon luhatjen e monedhës së përbashkët europiane jo me faktorët e tregut, por me pastrimin e parave në sektorë si ndërtimi që për të do të përhapen edhe në sektorë të tjerë.

Sipas Preçit, në kushtet kur performanca e fiskale e qeverisë është në ditët më të këqija, një numër projektesh të llojit partneritet publik-privat të saj, janë gjeresisht të dyshuara si licensim për pastrim parash si dhe për shndërrimin e parave kriminale në borxh publik për periudhat që vijnë.

 

Më Shumë