Treg

Eksportet e energjisë për tremujorin e tretë u rritën me 2.3 herë por pak u dha nga hidrocentralet publike

Eksportet bruto të energjisë u rritën me 2.3 herë krahasuar me vitin 2020 sipas të dhënave nga Instat por nga hidrocentralet publike është eksportuar pak pasi pjesa më e madhe është dhënë nga prodhuesit e pavarur privatë dhe koncesionarë.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12.0 %.

Përkatësisht, sipas treguesve specifikë nga 323.440MWh energji të eksportuar që është dhënë në total, vetëm 0.4% është eksportuar nga publiket.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Importi bruto i energjisë elektrike, në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46.5 %.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12.0 %

Sipas INSTAT shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e tretë të vitit 2021, ka pësuar një ndryshim me 23.7 % duke arritur vlerën negative prej 651 GWh, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020 ku kishte një vlerë negative prej 527 GWh.

Humbjet në transmetim janë rritur me 16.7 % ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 4.3 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 7.8 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 2.2 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Ajo që dallohet është rritja e konsumit në vend në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe pjesën më të madhe të kësaj rritjeje e kanë bizneset dhe më pak familjarët.

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 17.8 %, përkundrejt rritjes me 7.6 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë”, shkruhet në publikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë