Ekonomi

Eksperti shqiptar i Moody’s: Programet elektorale, populiste

"28 mijë të varfër më shumë në 2020, është e pajustifikueshme"

Eksperti shqiptar i Moody’s Ilir Hysa në një intervistë për Gazeta “Si” i bën një profil analitik ekonomisë shqiptare në prag të zgjedhjeve. Për të panoramë është më shëmë se gri duke kujtuar që 2020 shtoi të varfërit me 28 mijë syresh sipas Bankës Botërore.

Ai mendon se fushatat elektorale janë për të shpalosur programet dhe për llogaridhënie, por veçanërisht kjo e fundit nuk ka ndodhur ndonjëherë e nuk po ndodh as tani.

Sipas ekspertit Hysa, gjëja më e trishtë është se të dyja kampet e mëdha po merren me politika që ai i sheh si dytësore në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa sugjeron se sinjali i parë pozitiv që duhet dërguar nga qeveria e re pas zgjedhjeve, është transparenca e plotë në prokurimet publike. Bashkë me një sinjal të tillë, qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë më e matur me kontrantat konçesionare.

 Si e përshkruani tablon ekonomike të vendit në prag të zgjedhjeve pas dy krizash, të tërmetit dhe pandemisë?

Nuk ka dyshim se ekonomia e Shqipërisë po kalon një përiudhë të vështirë. Pandemia globale ka gjunjëzuar turizmin dhe ka krijuar vështirësi gjetkë në ekonomi. Kjo shihet edhe në shifrat e publikuara nga entitetet publike. Për shembull, shkalla e papunësisë mes të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç arriti 21.7% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas Institutit të Statistikave, duke shënuar shkallën më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2019. Kjo edhe pse një numër i madh të rinjsh—të punësuar e të papunësuar—është larguar nga Shqipëria vitet e fundit.

Vështirësi të tilla rezultuan në një tkurrje ekonomike prej 3.3% vitin e kaluar, sipas përllogaritjeve paraprake të Institutit të Statistikave, dhe ka gjasa që shifra përfundimtare të tregojë një rënie ende më të madhe, gjë që e konfirmon edhe rënia prej 4.7% e vlerësuar nga Banka Botërore. Për të njejtat arsye, Fondi Monetar Ndërkombëtar shikon një mëkëmbje më pak impresionuese këtë vit dhe ndaj uli kohët e fundit parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Shqipërisë nga 6.1% në 5%, ndërsa Banka Botërore parashikon një rritje prej 4.4%.

Ka rëndësi të theksohet se shifrat e rritjes ekonomike përfshijnë edhe zëra që reflektojnë shpenzime për arsye që jo domosdoshmërisht tregojnë një ekonomi më të shëndoshë. Për shembull, Shqipëria ka patur shumë shpenzime të tilla që nga tërmeti i nëntorit 2019, dhe kur pandemia iu shtua telasheve të qytetarëve në mars 2020, vendit iu desh të merret me adresimin e dy krizave të mëdha. Pra, rritja e shifrave të rritjes ekonomike si pasojë e drejtimit të fondeve publike tek zgjidhja e problemeve të ngutshme nuk do të thotë rritje mirëqenieje të përmasave të sugjeruara nga shifrat e rritjes ekonomike.

Ka edhe arsye të tjera për t’u shqetësuar. Për shembull, ka vite që rritja ekonomike në Shqipëri ndihmon në mënyrë disproporcionale një grusht të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin, ndërkohë që rritja e rrogave për punonjësit e sektorit publik bëhet loja e fushatës elektorale të radhës. Si rrjedhim, polarizimi i të ardhurave është thelluar dukshëm vitet e fundit dhe pasojat e krizave janë më të dukshme tek pjesa më e varfër e shoqërisë shqiptare. Kjo do të shihej më qartazi nga panorama që do të sillnin parametrat ekonomikë që publikohen rrallë ose nuk publikohen fare. Për shembull, shifrat që reflektojnë numrin e individëve sipas grupeve të të ardhurave dhe numrin e qytetarëve që jetojnë në varfëri do të lejonin për një pamje me të saktë të panoramës ekonomike. Në këtë pikë, propozimi i opozitës për financimin e nevojave publike, përfshirë edhe ndihmën ndaj çifteve të reja, me fonde nga pasuritë e sekuestruara të zyrtarëve të korruptuar do të ishte një zgjidhje sa pragmatike edhe populiste, por ajo është e vështirë për tu realizuar. Kjo sepse nëse do të promovohet pavarësisa e pushteteve, sekuestrimi i pasurive të tilla do të varet nga sistemi i drejtësisë, jo nga pushteti ekzekutiv.

Ilir Hysa

   A janë shpresëdhënëse programet elektorale të partive në lidhje me ekonominë?

Kuptohet, do të shpreh mendimet e mia, por kjo është për votuesit të vendosin. Para se të komentoj rreth programeve elektorale dua të kujtoj se zgjedhjet mbahen për ti dhënë mundësi subjekteve politike të shpalosin vizionet për të ardhmen, por janë edhe kohë për llogaridhënie. Pra, qytetarët duhet të pyesin nëse mazhoranca qeverisëse ka mbajtur premtimet e katër viteve më parë. Kuptohet se qeveria nuk mund të fajësohet as për tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe as pandeminë COVID-19, por ngjarje të tilla të paplanifikuara nuk duhet të shërbejnë as si shkas për të justifikuar dështimet e qeverisjes. Për shembull, qeveria nuk ka mundur t’a ndalë hemoragjinë e kapitalit njerëzor, dhe argumenti se qytetarët kanë të drejtën e lëvizjes së lirë është vetëm justifikim i konfliktualitetit ekstrem dhe shpresës së vrarë në vend. Thënë ndryshe, nëse rinisë i janë krijuar kushtet që pretendon shumica qeverisëse e 8 viteve të fundit dhe se meritokracia është mënyra e re dhe dominuese e shkollimit dhe e punësimit, atëherë pse vazhdojnë e largohen të rinjtë shqiptarë. Publikimi i shifrave paraprake të INSTAT-it rreth popullsisë janë vonuar këtë vit, por nuk ka dyshim që trendi i largimeve masive, i vdekjeve në rritje dhe i lindjeve në rënie ka vazhduar, duke përkeqësuar panoramën demografike të Shqipërisë. A sjell shpresë një tablo e tillë?! Pastaj, nuk duhet harruar as skepticizmi i qytetarëve ndaj politikës gjatë tre dekadave të fundit.

Shpresën e sjell realizimi i axhendave ekonomike ambicioze dhe jo premtimet, sado të sofistikuara qofshin ato. Si zakonisht, partitë politike po bëjnë premtime për katërvjeçarin e ardhshëm, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve po radhiten në kampet respektive. Nëse ka një zhvillim inkurajues para këtyre zgjedhjeve, ai është rritja e segmentit gri (pjesës së pavendosur) të elektoratit. Kjo tregon se një numër në rritje qytetarësh po bëjnë detyrën e tyre, po mendohen mirë para se të vendosin, ndërsa të tjerë janë të pavendosur sepse ndoshta mbeten të painformuar ose të painteresuar.

Mazhoranca qeverisëse po kërkon një mandat të tretë për të përfunduar “punët e pambaruara”, të cilat në pjesën më të madhe konsistojnë në zgjerimin e projektit të Rilindjes Urbane, ndërsa opozita po vë në pah korrupsionin galopant të 8 viteve të fundit—sidomos në fushën e tenderave dhe të PPP-ve—si dhe dështimin e vendit në proceset integruese europiane.

"Mazhoranca qeverisëse po kërkon një mandat të tretë për të përfunduar “punët e pambaruara”, të cilat në pjesën më të madhe konsistojnë në zgjerimin e projektit të Rilindjes Urbane, ndërsa opozita po vë në pah korrupsionin galopant të 8 viteve të fundit—sidomos në fushën e tenderave dhe të PPP-ve—si dhe dështimin e vendit në proceset integruese europiane"

Gjëja më e trishtë është se të dyja kampet e mëdha po merren me politika që unë i shoh si dytësore në zhvillimin ekonomik të vendit. Për shembull, debati rreth taksës së sheshtë kundrejt asaj progresive nuk është debat i rëndësishëm sot për sot. Kjo sepse efektet makroekonomike të tyre varen nga kompozimi i subjekteve të taksuara dhe të dyja skemat e taksimit kanë avantazhet dhe disavantazhet e veta. Për shembull, taksa e sheshtë prej 9% e bën Shqipërinë të barabartë me vendet e rajonit për nga aftësia për të joshur investitorët, por nuk garanton fluksin e taksave mbi subjektet me të ardhura të larta.

A janë të realizueshme apo thjesht demagogji fushate?

Si edhe në shumë fushata të tjera elektorale që i kanë paraprirë asaj të këtij viti, premtimet që po i bëhen votuesve janë një kombinim objektivash të arritshme, dëshirash të mira por utopike dhe thirrjesh populiste por të parealizueshme.

Çfarë strategjie dhe reformash ekonomike afatgjatë i duhen vendit?

Ndërtimi i një shteti funsional dhe të denjë në sytë e qytetarit—ku konkurenca e lirë ekonomike, jo bakshishi apo miku me pushtet, shërben si motori i zhvillimit ekonomik—duhet të jetë objektivi kryesor i Shqipërisë. Fabula 30 vjeçare e integrimit në BE duhet të rivlerësohet dhe të kuptohet më mirë. Vetëm një shtet dinjitoz do t’a mundësojë integrimin. E kam thënë edhe më parë, se ecuria e ekonomisë së Shqipërisë do të varet jo vetëm nga reformat ekonomike por edhe nga reformat institucionale në vend. Kjo sepse reformat ekonomike nuk mund të prodhojnë rezultatet e duhura kur nuk gjejnë shtratin e duhur institucional për tu implementuar. Cilësia e institucioneve është përcaktuese në mbarëvajtjen e qeverisjes, në besimin e konsumatorëve dhe të investitorëve. Urgjenca e këtyre reformave bëhet edhe më e madhe kur merret parasysh se mungesa e një perspektive të qartë në vend largon një pjesë të mirë të qytetarëve dhe ushqen apati tek një pjesë e mirë e atyre që mbesin. Përveç reformave të brendshme ekonomike dhe institucionale, Shqipëria duhet të synojë edhe heqjen e pengesave të mbetura dhe krijimin e një tregu të përbashkët me Kosovën.

Tashmë është bërë fakt i pranuar gjerësisht, madje edhe mes forcave politike që garojnë në zgjedhje, se Shqipëria nuk mund të konkurojë me ekonomitë e konsoliduara europiane në industri të rënda, ndaj ajo duhet të fokusohet në sektorë ku ka avantazh krahasues, që do të thotë se fokusi duhet të mbetet tek turizmi, agroturizmi, shërbimet profesionale dhe tregtia. Ndaj reformat në nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës së turizmit duhen parë me përparësi. Megjithatë, reforma të tilla duhen menduar më mirë dhe të prodhojnë rezultate të matshme, ndryshe nga propozimi mazhorancës qeverisëse në lidhje me pagesën 5 mijë euro për konvertimin e shtëpive të braktisura në bujtina turistike.

"Por me shifrat e larta të qytetarëve që jetojnë në varfëri—plot 28 mijë të shtuar në vitin 2020, sipas Bankës Botërore—nevoja për ndërhyrjen e qeverisë mbetet kërkesë e vazhdueshme e shumë qytetarëve. Gjithësesi, mbajtja e syve nga qeveria është tregues i dështimit të qeverive përgjatë tranzicionit të gjatë për të krijuar kushte optimale për konkurencën e lirë e të ndershme"

Shqipëria do të vazhdojë, edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, të përballet me një dualitet disi të vështirë për tu balancuar: Nga njëra anë, qytetarët duhet të mësohen gjithnjë e më shumë me idenë se kyçi i zhvillimit ekonomik të vendit duhet të jetë iniciativa private, jo qeveria. Por me shifrat e larta të qytetarëve që jetojnë në varfëri—plot 28 mijë të shtuar në vitin 2020, sipas Bankës Botërore—nevoja për ndërhyrjen e qeverisë mbetet kërkesë e vazhdueshme e shumë qytetarëve. Gjithësesi, mbajtja e syve nga qeveria është tregues i dështimit të qeverive përgjatë tranzicionit të gjatë për të krijuar kushte optimale për konkurencën e lirë e të ndershme.

Cila është gjëja e parë dhe e domosdoshme në aspektin ekonomiko-financiar që duhet të bëja qeveria e re sapo të marrë pushtetin?

Nuk besoj se ka një gjë të vetme që do të zgjidhte njëkohësisht shumë probleme. Qeverisja do të jetë sfidë për cilëndo qeveri që vjen. Nuk duhet harruar se borxhi i lartë publik do t’a kufizojë disi aftësinë e qeverisë për të shpenzuar fonde publike.

Gjithësesi, në këndvështrimin tim, sinjali i parë pozitiv që duhet dërguar është transparenca e plotë në prokurimet publike. Bashkë me një sinjal të tillë, qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë më e matur me kontrantat konçesionare. Kjo sepse nëse ato firmosen, bëhen të vështira nga pikëpamja ligjore për t’u anulluar. Lexuesi juaj ndoshta e mban mend faktin se qeveria Rama premtoi të anullonte disa konçesione por nuk e bëri dot një gjë të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë