Politike

Venecia: E kemi një mendim për Metën, vendimi më 11 tetor

Ekspertët e komisionit të Venecias mbyllën takimet dy ditore në Tiranë duke i dhënë fund edhe misionit faktmbledhës për çështjen që ato do të shqyrtojnë nëse presidenti Ilir Meta kreu shkelje të rëndë kushtetuese me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Takimin e fundit ata e kishin lënë më anëtarët e komisionit hetimor parlamentar, edhe pse një ditë më parë ekspertët e Venecias kishin pasur një drekë në vilën qeveritare 31.

Në përfundim të takimit me anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Komisionit Hetimor, Kaarlo Tuori, që është drejtues i delegacionit dha përshtypjet e para mbi takimet e zhvilluara. “Jemi të kënaqur me takimet e zhvilluara në Tiranë. Kemi marrë informacione të mjaftueshme lidhur me atë që kërkonim. E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur apo jo Presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm shumë informacion për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 Tetor”, tha Tuori.

Kaarlo Tuori, eksperti i Venecias, duke folur për median

Kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja tha pas bisedës gati një orëshe me delegacionin e Komisionit të Venecias se kanë diskutuar në lidhje me objektivitetin e trajtimit të kësaj çështje nga ana e Komisionit Hetimor. “Ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal , me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlamentare të parin në llojin vet për Shqipërinë”, theksoi Manja.

Takimi i sotëm me delegacionin


Delegacioni i Venecias mësohet se është takuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri.

Ekspertët e komisionit të Venecias në takimin me deputetët e opozitës në komisioin hetimor parlamentar

Për dy ditë delegacioni i ftuar me kërkesë të Kuvendit është takuar me drejtues të opozitës brenda dhe jashtë Parlamentit, drejtues të mazhorancës parlamentare, si dhe me presidentin Meta, kryeparlamentarin Ruçi, kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm, Lleshaj dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nxjerrja e raportit të deklaruar në sesionin e 11 tetorit mund të shkaktojë ndërkohë edhe shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm hetimor i ngritur me 55 firmat e deputetëve të mazhorancës parlamentare. Afati i këtij komisioni është 8 tetori dhe kjo pritet të ndikojë edhe në miratimin e raportit të posaçëm që do t’i paraqitet Parlamentit për miratim, nëse do t’i kërkohet shkarkimi ose jo i presidentit Ilir Meta.

Delegacioni i Komisionit të Venecias në takimin me anëtarët e KQZ-së

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë