Futboll

Eksperimenti në Premier League, ndërrim shtesë për shëndetin e lojtarëve

Premier League është gati të bëjë një ndryshim, të shtojë e para një pikë në rregulloren e ndeshjes së futbollit. Bëhet fjalë për një ndërrim suplementar për rastet, kur lojtarët marrin goditje në kokë gjatë ndeshjes, pra për një ndërrim të katërt. Lajmi bëhet i ditur nga britanikja “Daily Mail”, që shkruan se i gjithë qëllimi është që të mbrohet shëndeti i lojtarëve në fushë në të tilla situata.

Përplasjet “kokë më kokë” mes lojtarëve nuk janë të rralla në futboll dhe ka raste kur ata dëmtohen aq keq, sa nuk mund të qëndrojnë më në fushë. Në raste të tjera loja vazhdon, pasi bëhet një kontroll nga stafi mjekësor dhe jepet “ok”-i i tij. Por në çdo rast nevojitet të ketë siguri të plotë për shëndetin e lojtarit dhe për këtë arsye në Britaninë e Madhe janë gati të bëjnë një eksperiment me shtimin e ndërrimit të katërt vetëm për situatën në fjalë. Modifikimi i rregullores është në rend të ditës në mbledhjen e radhës të IFAB-it (Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit), i programuar për më 29 shkurt në Belfast. Në këtë datë pritet të jepet miratimi për këtë rregull dhe Premier League është shprehur e gatshme për ta bërë e para këtë eksperiment.

Stons, i dëmtuar pas një përplasje në kokë. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

IFAB-i ka zgjedhur një komision mjekësh për të studiuar mirë rastet, që më pas do të prezantohen në Belfast, ku do të vendoset çfarë rruge do të ndiqet. Dy janë apsionet: në rastin kur një lojtar ka hemoragji për shkak të një traume në kokë dhe duhet të lërë fushën, do të akordohet edhe një ndërrim i katërt, përveç atyre tre që parashikon rregullorja aktuale. Lojtari i ndërruar nuk ka të drejtë të hyjë më në fushë. Opsioni i dytë është i ngjashëm me atë që ndodh në regbi, konkretisht për një ndërrim shtesë të përkohshëm. Që do të thotë se lojtari i dëmtuar vizitohet në dhomat e zhveshjes nga një mjek dhe nëse pas 10-15 minutash është në gjendje të luajë, do të kthehet në fushë, kurse zëvendësuesi i tij do të kthehet në stol.

Nëse ekserimenti do të shkojë mirë, rregulli i ri do të hyjë në fuqi zyrtarisht që në fillim të sezonit të ardhshëm në Premier League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë