Ngjarje

Ekskluzive / Vjedhja 20 mln lek. Zhduket gardëroba dhe arkiva e Teatrit Kombëtar para vitit 2012

Më tepër se një muaj nga shembja e Teatrit Kombëtar, protestave të zhvilluara dhe një sërë denoncimesh të dorëzuara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Hervin Çuli kërkon hetime dhe denoncon sërish në polici zhdukjen e një sërë artikujsh të rëndësishëm. Sikurse bën me dije një burim ekskluziv i gazetës “Si” pranë Ministrisë së Kulturës ka dyshime se pas inventarit  të kryer nga ky institucion në datë  29 maj 2020, rezulton se vlera e aseteve të munguara kap shifrën e 19.197.098 lekë. Gjithashtu pohon i njëjti burim anonim në këtë institucion rezulton e zhdukur gjithë arkiva e Teatrit Kombëtar para vitit 2012. “Në një inventarizim të mëparshëm të kryer në korrik 2019 u konstatua se gjendja kontabël në godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar ishte 41.516.539 lekë, ndërkohë që pas shembjes rezulton se vlera e inventarizuar e aseteve të dorëzuara në Bunkart 2 ka vlerën e 22.319.441 lekë”, thotë përmbledhtazi zyrtari i Ministrisë së Kulturës. Nuk ka ende një panoramë të qartë se sa për qind të këtyre materialeve të çmuara për trashëgiminë janë zënë nën rrënoja, atëherë kur autoritetet ndërhynë për të shembur teatrin dhe sa të tjera me rëndësi historike dhe kulturore janë grabitur.

Çfarë mungon?

Sipas ekspertëve që kryen kontrollin e materialeve, ndonëse teatri u shemb në datën 17 maj, procesi i transferimit të objekteve të rëndësishme ka zgjatur edhe 12 ditë më pas. “I gjithë ky proces inventarizimi vazhdoi deri në datën 29 maj, pasi bashkia vazhdoi të sjellë materiale  dhe disa ditë pas shembjes së teatrit”, shpjegoi eksperti për gazetën “Si”. Eksperti mendon se shumë materiale të rëndësishme kanë humbur, ndërsa të tjera u morën në neglizhencë të plotë nga rrënojat e teatrit si mbetje inerte, për t’u flakur si mbetje. Artikujt që mungojnë i përkasin gardërobës së aktorëve dhe si  të tillë konstatohet zhdukja e 3670 veshjeve, që sipas asaj që përshkruan eksperti për gazetën “Si” si të tilla referuar kartelës përkatëse mungojnë artikujt nga numri  143 deri në  3813. Dyshohet që vlera kontabël e tyre është 2.119.384 lekë.

Ndonëse në pretendimet e Hervin Çulit sipas shkresës së Ministrisë së Kulturës zhvendosja e teatrit nisi në korrik 2018 drejt Art Turbinës, shumë materiale u zhvendosën për shkak të mungesës së vendit në godinën e re, pjesa më e madhe e rekuizitës, gardërobës, piktorit, mekanikës, grimit  dhe arkivës mbetën në ndërtesën e Teatrit të vjetër. Duke u kthyer pas në kohë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës kujtojnë për gazetën “Si” se situata u komplikua për shkak të protestave të herëpashershme dhe bllokimit të punonjësve për të hyrë në godinë. Nga sa rezulton në korrik 2019, Ministria e Kulturës i lutet për ndihmë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Hervin Çuli përmend në kallëzimin e dorëzuar në polici se “nga data 24 korrik 2019 deri më 17 maj Teatri Kombëtar humbi administrimin e kësaj godine”. Në këto rrethana  me qëndrimin se nuk kishin asnjë informacion çfarë po ndodhte me pajisjet dhe gardërobën brenda godinës, kreu i Teatrit Kombëtar dorëzon kallëzimin e parë në polici që fillon të reagojë në fillim të janarit 2020 ku edhe kërkon vënien në dispozicion të inventarëve të sendeve. E gjithë lista vendoset në dispozicion të krimit ekonomiko-financiar në datë 10 janar 2020

Shembja…

Por skandali thellohet në datë 17 maj e në vijim. Kur policia hyri duke zbardhur dita e diel dhe INUK nisi shembjen, zyrtarët e Teatrit Kombëtar deklarojnë në polici:

“Jemi njoftuar në telefon nga Bashkia e Tiranës për situatën e krijuar. Na njoftuan se kishin nxjerrë nga godina sende dhe pajisje të ndryshme. Një pjesë u sollën në Bunkart 2 dhe pjesa tjetër na u tha se do silleshin me kamionë nga bashkia. Atë ditë dolën në punë të gjithë punonjësit, ndërsa u ngrit komisioni i konstatimit dhe vlerësimit për inventarizim".

Në raportimin e dorëzuar Ministrisë së Kulturës, pasi u numëruan gjitha çka u zbritën nga kamionët rezulton një listë e gjatë sendesh e materialesh të zhdukura. Në magazinën e rekuizitës  shënohen si të zhdukura materialet nga numri 2 deri në numrin 790, me vlerë kontabël 2.840.000 lekë, në magazinën qendrore mungojnë artikujt nga numri 1 deri në 711 me vlerë 1.425.631 lekë, mungojnë artikuj të ndriçimit, të repartit të piktorit, fonisë, të studios grafike. Por ç’është më e rëndë është raportimi i zhdukjes së arkivës së Teatrit Kombëtar para vitit 2012.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë