Futboll

Ekskluzive / Skemat e reja dhe mënyra se si FSHF dhe UEFA do të shpëtojnë futbollin shqiptar nga bilancet negative

Nga Gazeta ‘Si’-Problemet financiare në futbollin shqiptar gjithmonë e më tepër kanë sjellë vështirësi në menaxhimin e klubeve. Krijimi i Ligës Superiore me presidentët e klubeve të kësaj kategorie prej mëse 4 vitesh, kanë parashtruar disa herë kërkesa ndaj qeverisë për të patur mundësinë e disa mundësive financiare, që do të ndihmonin dhe siguronin vazhdimësinë e shëndoshë të këtij aktiviteti sportiv, por asgjë.

As greva e tre viteve më parë, që shtyu kampionatin për disa javë, nuk solli asnjë efekt konkret, veç disa tryezave bisedimesh për të rivënë në jetë Ligjin e Sponsorizimit, i cili edhe pse është i vitit 1994 nuk është funksional dhe nuk sjell asnjë impakt.

Kjo bëri që vetë komunteti i futbollit, apo institucioni që e manaxhon atë, Federata Shqiptare e Futbollit, të kërkojë ndihmën dhe asistencën e UEFA-s për të krijuar mundësi, me bazë ndryshimin e skemës së kampionatiti dhe kupave, për të sjellë shtimin e tifozerisë në stadiume dhe rrjedhimisht edhe të të ardhurave. Pas disa kohësh bashkëpunimi mes ekspertëve të sektorit të garave të “qeverisë” europiane të futbollit dhe saj shqiptare, është arritur në hartimin e disa skemave të cilat Gazetasi.al i disponon ekskluzivisht.

Këto skema dhe propozime janë kombinime të ndryshme, të cilat u prezantuan paraditen e së shtunë përpara presidentëve të klubeve të Superiores, të cilët për rreth 2 orë të mbyllur në “Shtëpinë e Futbollit” i diskutuan.

Skema e re që do të hyjë në fuqi në këtë sezon 2023/2024

Sipas kësaj skeme të re, kampionati do të zhvillohet me 4 faza për 36 javë dhe në mbyllje të javës së fundit, skuadra me më shumë pikë, që do të jetë rrjedhimisht e para në klasifikim, do të marrë një bonus prej 10 milionë lekësh, më pas do të fillojë faza e "Final Four". Kjo fazë do të jetë një mini kampionat mes katër skuadrave të para, me sistem grumbullimi pikësh. Skuadra që do të grumbullojë më tepër pikë do të jetë skuadra fituese e trofeut të sezonit dhe kampione e Shqipërisë, dhe rrjedhimisht pjesëmarrëse në Champions League, ndërsa 3 skuadrat e tjera do të marrin pjesë në Conference League. Në rast barazimi me pikë të skuadrave të kreut, do të ketë përparësi skuadra, e cila ka grumbulluar më tepër pikë në sezonin e plotë.

Përfitimet e skemës së re me "Final Four"

Në bazë të përllogaritjeve të fundit, ndeshjet derbi të kryeqytetit Tirana - Partizani, konsiderohet si ndeshja më e madhe e futbollit shqiptar dhe me më shumë tifozë dhe të ardhura nga shitja e biletave. Sipas statistikave, vitet e fundit ky derb që zhvillohet në stadiumin “Air Albania” ka një pjesëmarrje prej 14.000 spektatorësh. Synimi i këtyre ndeshjeve të "Final Four", është që ato të kthehen në ndeshje të ngjashme me derbin për nga organizmi dhe rëndësia.

6 ndeshje, 1 milion euro përfitime nga "Final Four"

Mesatarja e shikuesve në 14.000 për ndeshje, me një mesatare çmimi bilete prej 1000 lekë, pritet të sjellë 14 milionë lekë përfitime vetëm nga shitja e biletave. Kësaj mundësie i shtohen edhe alternatiiva. Një e drejtë televizive ekstra dhe marketingu ekstra për "Final Four", që mendohet që në vitin e parë të sjellë një arkëtim prej rreth 1 milion euro, të cilat janë menduar të ndahen me skemën 60% për katër pjesëmarrëset e "Final Four" dhe 40% për 6 skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore, të cilat i shtohen parave të marra që në fillim nga e drejta televizive që shpërndahet në nisje të sezonit.

Me fjalë të tjera, një dritë në fund të tunelit të shpenzimeve të pafundme dhe deri diku të palogjikshme në futbollin shqiptar, ku mungojnë facilitetet dhe lehtësirat nga shteti për bizneset pjesëmarrëse. Një hap i madh ky që pritet t'i japë fund dhe një pavarësi më të madhe lojës më të bukur në botë, që prej dekadash në perëndim, ndryshe nga Shqipëria, është një biznes fitimprurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë