Dosje

Ekskluzive/ Përgjimet e drogës dhe raportet mjekësore të Pllanajt, trafikanti që sëmurej shpesh

Të dyja herët që u arrestua, Bardhok Pllanaj i shpëtoi burgosjes apo përfundimit në paraburgim, pasi spitalet e konsideronin atë të sëmurë në gjendje të rëndë. Me një konstatim të tillë spitali i qytetit të Shkodrës dërgoi në gjykatë diagnozën, duke pranuar se e kishte shtruar në reanimacion me diagnozën e arterieve koronare, diabet melitur të lartë. Mjekët iu thoshin gjyqtarëve se ai mbahej nën monitorim  24 orë në 24  për shkak të parametrave jetësorë. Por me të njëjtën formulë, Pllanaj shpëtoi dhe nga paraburgimi në 2018 pranë Gjykatës për Krimet e Rënda. Sipas burimeve të Gazetasi.al, ai u shtrua me urgjencë në spitalin privat ku sërish gjendja e tij shëndetësore konsiderohej e rënduar. Në asnjërin nga këto raste, mjekët nuk u hetuan dhe “aktrimi” i Pllanaj u mor i mirëqenë përderisa mjekët e vërtetuan këtë gjë me analizat përkatëse.

Në këtë rast mjekët e Tiranës nuk e konsideruan me të njëjtat diagnoza. Por ai vuante nga probleme të tjera. Në shkresa thuhet se ai nuk ishte në gjendje të fliste dhe se kishte dhimbje të forta koke.

“Në lidhje me shkaqet shëndetësore të pretenduara, gjykata referuar vërtetimit të datës 18.06.2017, ora 14:20, lëshuar nga mjeku anestezist reanimator i spitalit Continental Tiranë, rezulton se shtetasi nën hetim Bardhok Pllanaj momentalisht nuk është në gjendje për të komunikuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Klinikisht pacienti duhet të qëndrojë në spital, pasi vazhdon të ketë dhimbje të forta koke (cefale), të vjella pa gjak dhe humbje të ekuilibrit. Objektivisht i është bërë CT koke dhe si dhe eko-dobler për të parë gjendjen e vazove të gjakut. Rezultati i ekzaminimeve ende nuk është kryer, pacienti nisur sa më sipër duhet të qëndrojë në spital”.

Referuar kartelës klinike, gjykata detyrohet të vendosë për të detyrim paraqitje duke u bazuar në një vendim të Gjykatës së Lartë ku thuhet:

“Praktika gjyqësore ka pranuar se nevojat e sigurimit mund të zbuten edhe për shkak të rrethanave familjare ose gjendjes shëndetësore e cila duhet të jetë veçanërisht e rëndë, por jo gjithmonë duhet pranuar për ndryshimin e masës së sigurimit pasi, i dyshuari në rastin konkret mund të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm të spitalit të burgut, që është organi i ngarkuar me ligj për trajtim mjekësor të personave që janë në gjendje paraburgimi apo burgimi. Vetëm në ato raste kur nga autoriteti shtetëror mbikëqyrës i paraburgimit nuk mund të sigurohet trajtim i kualifikuar mjekësor i sëmundjes dhe mungesa vë në rrezik jetën apo shëndetin, gjendja shëndetësore mund të shërbejë si shkak për ndryshimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në rast se ekzistojnë kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme për zbatimin e kësaj mase….”.

Hetimi

I dyshuar për trafik, Pllanaj i kishte shpëtuar arrestimit në flagrancë duke qenë se përdori si mburojë imunitetin e deputetit Mark Frroku, teksa po kthehej nga një drekë në një lokal që i përkiste një deputeti tjetër.

Në zbatim të këtij vendimit Nr.272 datë 27.05.2017,të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Prokuroria për Krime të Rënda, Tiranë, në datën 18.06.2017, ka nisur hetimin për të cilin ai nuk dha asnjë shenje jete në spital, ku gjykata i shkoi për masë sigurie kishte të bënte me procedimin penal të shtatorit 2014, për dosjen Rana e hedhun që gjendet midis Lagunës së Vilunit (Velipoje) dhe Shëngjinit. Policia raportoi se  shërbimet në bashkëpunim me ato të policisë kufitare Shkodër gjetën në det, në afërsi të bregut 7 çanta me ngjyrë të zezë. Brenda çantat kishin 80 paketime me mbështjellje natribani, të mbushura me material bimor të llojit cannabis sativa me peshë 780 (shtatëqind e tetëdhjetë) kg.

Për këtë veprimtari kriminale, duke u konsideruar të plota hetimet dhe provat e fajësisë në ngarkim të shtetasve (të dyshuar se ishin trafikantët shqiptarë që bashkëpunonin me shtetasit italianë), Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Cokaj, ata u përcollën për gjykim, akuzuar për kryerje të veprës penale të “Trafikimi i narkotikëve”. Të gjithë ata u dënuan.

Dosja që Gazetasi.al disponon shpjegona më tej se “Në vijim nga ana e organit të akuzës, kanë vazhduar hetimet, ku është provuar se për realizimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme (trafikimin e sasive të lëndëve narkotike) krahas të pandehurve të arrestuar, e të dënuar tashmë kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë, si të dyshuar në këtë  veprimtari rezultojnë të jenë personat nën hetim Bardhok Pllanaj, Përparim Rraja, Ilir Hajdini, Gjeto Çekaj, Gazmir Mehmetaj, Andi Mita, Detjon Mehmetaj, Andrea Caushi, Kasëm Piluri, Altin Rramolli dhe persona të tjerë për të cilët hetimet ende vazhdojnë. Nga të dhënat e deritanishme jepen të dhëna lidhur me përfshirjen e tyre si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari, roli i të cilëve po hetohet”.

Bardhok Pllanaj konsiderohej si lidhje e ngushtë e të pandehurit Mirjan Vitaj, Indrit Rraja si edhe e personave nën hetim të dyshuar edhe këta, shtetasve Përparim Rraja e Gjeto Çekaj.

Konkretisht atë e ekspozojnë përgjimet telefonike që në dosje detajohen:

“Nga të dhënat e përftuara në komunikimet telefonike të përgjuar të datës 28.09.2014  ora 10:41:19 AM, i pandehuri Vitaj, i referon shtetasit Bardhok Pllanaj se 100% e punës ka mbaruar, janë hedhur 20 kamionë me rërë dhe se “është vënë në skuadër të katër cepat”.

Në dosje që Gazetasi.al disponon ekskluzivisht vijohet:

“Është pyetur më datë 29.09.2014 (ditën e ngjarjes) në Drejtorinë e Policisë Vendore Shkodër, pasi ka qenë pasagjer në mjetin tip fugon mallrash (këqyrur e sekuestruar në cilësinë e provave material) së bashku me të hetuarit Gjeto Çekaj e Përparim Rrahja, ku ka shpjeguar se është takuar me shtetasin Gjeto Çekaj, tek tregu i perimeve dhe kanë ngrënë drekë bashkë. Më tej, kanë marr djalin e tij Orlando nga stërvitja dhe janë nisur me fugon për në Dajç për të marr materiale ndërtimi. Kryen komunikime jo të drejtpërdrejta telefonike me të pandehurin Indrit Rraja. Për t’u takuar dhe për t’i përcjellë porosi njëri-tjetrit, është përdorur numri celular 06989..... në përdorim të të dashurës së të pandehurit Indrit Rraja. Kjo e fundit i ka telefonuar më datë 01.10.2014 për t’i thënë shtetasit Bardhok Pllanaj se "Indritin e kishin ndal". Shtetasi Bardhok Pllanaj ka përfshire në aktivitetin kriminal të mbrëmjes së datës 29 shtatorit 2014, djalin e tezes së tij, të pandehurin Mirjan Vitaj, të cilit i pandehuri Indrit Rraja në komunikimet telefonike i referohet si “tezak”. Nga përmbajtja e  bisedës telefonike të datës 28.09.2014, ora 10:41 të zhvilluar mes shtetasit Bardhok Planaj, përdoruesi i numrit telefonik (+771) (regjistruar në emrin personal) dhe të pandehurit Mirjan Vitaj në numrin (+210) del e qartë lidhja e tyre fisnore (që konfirmohet edhe me deklarimet e të pandehurit Vitaj), roli dhe veprimet e secilit deri në atë datë, pra një ditë para mbrëmjes së ngjarjes kriminale”.

Prokuroria këmbëngul se Vitaj në bashkëpunim me lidhjet dhe njohjet e tij në Velipojë, dy prej të cilëve të pandehurit Alfred Syli dhe Kristjan Çokaj, organizoi përshtatjen e vendit në breg ku u ngarkua lënda narkotike, duke hedhur 20 kamionë rërë dhe duke i rrafshuar ato  në mënyrë që të mundësonte futjen e automjeteve që transportuan lëndën narkotike deri tek  mjeti lundrues (skafi), por kjo punë siç del qartë në përgjimin e bisedës telefonike është porosi e shtetasit Bardhok Pllanaj, të cilit pasi i pandehuri Mirjan Vitaj i referon me hollësi çdo veprim për përshtatjen e vendit të ngjarjes, hapjen e rrugës, krijimin e një vendi katror (skuadër në katër cepat), hedhjen e 20 kamionave me rërë, duke i thënë:

“A e din? Sa me ... kry punë ti”?

Këto gjetje të prokurorisë nuk u morën parasysh nga gjykata që për procedurë dhe mungesë të provave të mëpasshme e mbylli çështjen dhe Pllanaj shpëtoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë