Politike

Ekskluzive/ Holanda: Nuk kemi thënë “Jo”. Për negociatat me Shqipërinë do të shohim a janë plotësuar kushtet

Nga Xhuliana Toci - Shtatë vjet pasi mori statusin e vendit kandidat për anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria është një hap larg hapjes së kapitujve të integrimit. Komisioni Europian është i vendosur për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në muajin qershor dhe është duke punuar për miratimin e kuadrit negociues. Në një vizitë në Tiranë, komisioneri i zgjerimit Oliver Varheliy deklaroi se ekzistonte mundësia që BE të vazhdonte negociatat përpara vetëm me Shqipërinë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut punon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë

Mbajta e konferencës së parë me Shqipërinë do të vinte në fakt një vit pas dritës jeshile për negociatat nga Këshilli i BE-së dhe do të kërkonte edhe njëherë miratimin e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë edhe një ndër shtetet me qëndrimin me skeptik ndaj vendin tonë, Holandës.

Por çfarë qëndrimi do të mbajë Holanda dhe a do të kërkojë sërish shtyrjen e bisedimeve me Shqipërinë edhe këtë herë?

Në një përgjigje zyrtare për GazetaSi.al, ambasada holandeze në Tiranë thotë se Amsterdami zyrtare nuk ka marrë ende një vendim për negociatat me Shqipërinë dhe se po pret raportin e Komisionit Europian mbi progresin dhe plotësimin e kushteve nga Shqipëria.

“Një vendim për mbajtjen ose jo të konferencës së parë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të merret nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, sapo të bien dakord për kuadrin negociues”, thotë përfaqësia e shtetit holandez në Tiranë për GazetaSi.al.

Duke komentuar raportet që qarkullojnë në qarqet diplomatike se Holanda ka dalë kundër mbajtjes së kësaj konferencë me vendin tonë, ambasada holandeze i hedh poshtë, duke theksuar se vendimi do të merret nga parlamenti holandez.

Ajo thekson megjithatë, se për mbajtjen e kësaj konference e cila do të bëjë të mundur hapjen de facto të kapitujve, Shqipëria do të duhet të ketë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Këshillit Europain në marsit të vitit 2020.

“Holanda do të presë një raport të përditësuar nga Komisioni Europian mbi përparimin e bërë nga Shqipëria për kushtet e vendosura nga Këshilli. Pasi të jetë marrë ky përditësim, qeveria do ta studiojë atë dhe do t'i dërgojë një vlerësim parlamentit holandez”, thekson ambasada holandeze për GazetaSi.al.

Holanda ka kërkuar disa herë shtyrjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke i mëshuar fatit që vendi ynë të bëjë më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe pse ka deklaruar vazhdimisht se Shqipëria ka bërë progres në implementimin e reformave, qeveria e kryeministrit Mark Rute ka theksuar gjatë vitit të kaluar se ky progres nuk i është i mjaftueshëm dhe se Holanda nuk është e bindur se Shqipëria është ende gati.

Megjithatë, duke komentuar qëndrimin e Holandës, Kryeministri Edi Rama tha në një bisedë me gazetarët në fillim të vitit se qëndrimi refuzues i Holandës lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Por si paraqitet skena politike në Holandë pas zgjedhjeve të marsit?

Qeveria e kryeministrit Mark Rute forcoi edhe më shumë pozicionin pas zgjedhjeve të 17 marsi. Partia e tij e qendrës së djathtë, Për Liri dhe Demokrac mori më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara, duke i dhënë Rutte mandatin për të drejtuar qeverinë për herë të katërt.

Me këtë fitore, Rutte gjithashtu pritet të bëhet një nga lojtarët kryesorë në Bashkimin Europian. Pas ikjes së kancelares gjermane Angela Merkel, ai do të jetë kryeministri më jetëgjatë në Europën Perëndimore dhe i dyti në BE, pas kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban.  Mediat perëndimore shkruajnë se së shpejti Rute do të marrë përsipër një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes së vlerave europiane.

I pyetur për qëndrimin e tij për zgjerimin e BE-së, Rute ka deklaruar vazhdimisht se Holanda nuk është kundër anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, por ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së kushteve.  “Nuk kemi asgjë kundër zgjerimit të BE-së, por duhet të kujdesemi t’i respektojmë rregullat dhe i gjithë procesi të jetë i rreptë dhe i ndershëm. Ky është pozicioni ynë”, do të deklaronte Rute në vitin 2019, në një interviste për median malazeze “Pobjeda”.

Çfarë kushtesh i janë vënë Shqipërisë?

Për të organizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare (KPN) Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare se ka bërë progres të mjaftueshëm mbi kushtet e vendosura nga Këshilli në muajin mars.

Këshilli Europian kërkon nga Shqipëria që para hapjes së kapitujve të plotësohen tre kushte kryesore: Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE, ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë pas marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias dhe rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga organet e reja të drejtësisë. Kriteret e vendosura duket se përmbledhin kushtet e vëna në tavolinë nga Holanda, Greqia dhe Franca për të mos vënë veton për negociatat.

“Mbetet prioritet që Shqipëria duhet t’i kundërvihet fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin”, theksonte Këshilli në vendimin e tij, duke kushtëzuar nisjen formale të bisedimeve të anëtarësimit.

Më tej KE vendoste një liste të gjatë kushtesh që duhet të plotësojë vendi ynë, duke filluar me dënimin e shitblerjes së votave, censusi i popullsisë, ligji për minoritetet dhe duke përfunduar me vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

“Përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit”, theksonte vendimi i 2020-ës.

“Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, si dhe vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, po ashtu sikurse edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjore në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave”, thuhej në dokument.

Por çfarë mendon Holanda për plotësimin e këtyre kushteve?

Sinjali i fundit erdhi në tetor të vitit të kaluar, kur ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok tha se Tirana i ka të qarta kushtet e vendosura nga Holanda që në muajin mars. “Po, ne ramë dakord që të hapen negociatat si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, por në atë kohë ne bëmë një dallim të qartë mes dy vendeve. Në rastin e Shqipërisë kemi bërë kërkesa konkrete për një sërë kushtesh që duhen plotësuar para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare”, deklaroi Blok në një raport dërguar parlamentit holandez.

Në raportin e tetorit theksohej se qeveria holandeze është e bindur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë në të njëjtin hap sa i takon plotësimit të kushteve “Nuk është pa arsye qëndrimi ynë që vendosëm një kriter specifik për Shqipërinë. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për perspektivën europiane të Shqipërisë, por procesi varet thelbësisht nga progresi i Shqipërisë. Që të jem i qartë, është një proces i bazuar plotësisht tek merita e secilit vend”, theksonte Blok.

Sipas tij, para se të hapen negociatat, Shqipëria duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë