Propozim i SI

Ekskluzive/ Binjakët nga Vlora, 6 medalje ari Shqipërisë dhe asnjë vlerësim

Një medalje e artë dhe një e argjendtë për Shqipërinë janë suksesi i fundit i dy vëllezërve binjakë nga Vlora në sportin e kik-boksit. Fatin e kanë të parashkruar që në emër, Brus dhe Stiven Jakupi, si Brus Li dhe Stiven Sigal, dy nga aktorët më të njohur në botë për filmat me artet marciale.

Dy medaljet e fundit i kanë fituar disa ditë më parë në Itali, në Karara, ku u zhvillua Botërori i kik-boksit. Kanë fituar edhe medalje të tjera për Shqipërinë, në total 6 të arta, por janë “të panjohur”, sepse askush në vendin tonë, Federata e Kik-boksit, Ministria e Sporteve dhe pushteti vendor nuk u ka kushtuar vëmendjen që meritojnë. Vlerat ua dinë mirë Federata Ndërkombëtare e Kik-boksit dhe Gjermania, që i ka “rrëmbyer” me vrap. Tashmë janë pjesë e ekipit “Kombat Berlin” dhe në çdo ndeshje mbajnë si flamurin shqiptar, ashtu edhe atë gjerman.

Brus dhe Stiven Jakupi në Botërorin e Italisë. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Ndoshta kik-boksi nuk është si futbolli, peshëngritja, atletika apo ndonjë sport tjetër, ku sukseset bëjnë bujë, por një medalje e artë mbetet një medalje e artë për Shqipërinë. Brus dhe Stiven Jakupi kanë ngritur lart flamurin shqiptar plot krenari, janë në shpërthimin e tyre dhe kanë një histori vërtet interesante, që kanë vendosur ta ndajnë eksluzivisht me Gazeta Si. Pasioni i tyre është shpërblyer dhe ata janë të lumtur, pavarësisht se nuk kanë mbështetjen financiare dhe as mirënjohje. Me punë, mbështetjen e familjes dhe disa sponsorëve që i kanë gjetur vetë, ia kanë dalë. Brus Jakupi u shpall kampion bote, ndërsa vëllai i tij binjak, Stiveni, nënkampion. Kampionati botëror u zhvillua në Itali, nga data 31 tetor deri më 4 nëntor. Në këtë aktivitet merrnin pjesë rreth 1200 sportistë nga e gjithë bota dhe dy binjakët që garojnë në dy displina të ndryshme kanë triumfuar bindshëm.

Për Brusin ky është titulli i tretë radhazi kampion bote. Diçka vërtet e rrallë për një sportist shqiptar, të çfarëdo disipline. Stiveni ishte pa fat në finale, por u shpall nënkampion bote. Vlerësimi nga shteti ynë? Zero shpërblim dhe më keq akoma zero mirënjohje. Mbështetjen më të madhe ua ka dhënë shqiptari i Kosovës, zëvendëspresidenti i WTKA-së, Enver Çakiçi, i cili u ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme. Dy binjakët nga Vlora synojnë të tjera arritje të mëdha dhe ndoshta një ditë do të ketë një ndërgjegjësim nga federata dhe shteti, edhe pse për ta pak rëndësi ka. Po si kanë arritur deri këtu? Gjithçka e rrëfen për Gazeta Si Brusi, që nga hapat e parë e deri tani, ku janë dy nga sportistët më të kërkuar për ndeshje.

Brus Jakupi, kampion bote. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Karate, taekuondo dhe kik-boks
“Jemi 22 vjeç dhe tani jemi në sportin e kik-boksit, - tregon Brusi, - por e kemi nisur me artet marciale që në moshën 5-vjeçare, me karatenë. Në moshën 12-vjeçare kaluam te taekuondoja dhe këtu vazhduam deri në moshën 16-vjeçare. Nga këtu u futëm në kik-boks, me trajner Xhavit Bajramin, një nga legjendat më të mëdha të këtij sporti në botë. Jemi stërvitur me Bajramin për 4 vjet. Unë kam dalë kampion bote në dy federata të ndryshme, për herë të parë në 2014-ën. Në kik boks janë amatorët dhe profesionistët, ku dallimi është se amatorët bëjnë ndeshje me mbrojtëse, kurse profesionistët pa mbrojtëse. Edhe kampionati i fundit ishte për amatorët, por janë amatorë në rangun profesionist, jo amatorë-amatorë. Edhe sportistët profesionistë vijnë dhe bëjnë ndeshje në këtë kampionat, sepse ka nivel dhe është shumë i madh. Ka shumë rëndësi ky kampionat. Kemi bërë edhe dy ndeshje profesionistësh, pa humbje.

Tek amatorët, ku bëjnë pjesë edhe titujt botërorë dhe europianë, kam 47 humbje dhe të gjitha fitore. Kam një rekord shumë të mirë. Jam shpallur 3 herë kampion bote në tre federata të ndryshme, në tre divizione të ndryshme. Në fillim, në 2014-ën, në ISKA (International Sport Kick-boxing Association), në 2016-ën në WAKO (World Assocation Kick-boxing Organization) dhe në 2017-ën në WTKA (World Traditional Kick-boxing Assocation). Vëllai është dy herë kampion bote në WAKO dhe në WTKA”.

Ftesa për në Botëror për binjakët Jakupi, me firmën e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Kik-boksit. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Jo më kundër njëri-tjetrit
Janë binjakë, por ndeshen në dy displina të ndryshme, sepse nuk duan më të përplasen mes tyre. “Luajmë pak me peshat me njëri-tjetrin, - shpjegon më tej Brusi. - Nuk duam të përballemi mes nesh. Na ka ndodhur që të përballemi më parë në finalen e Botërorit në WTKA dhe kam fituar unë, domethënë më kanë ngritur mua dorën, sepse nuk jemi ndeshur. Edhe në kampionate kombëtare kemi rënë në finale bashkë. Kemi vendosur që të kemi pesha të ndryshme atshmë. Kemi qenë edhe në Tajlandë, ku jemi stërvitur për 2 muaj dhe kemi bërë ndeshje dhe kemi fituar unë dhe vëllai. Ka një vit që ka ndodhur kjo gjë. Në Tajlandë jemi certifikuar në “Muay Thai”, sport tradicional tajlandez”.

Mbështetja dhe vlerësimi i munguar
“Kemi përfaqësuar Shqipërinë në Botërorin e Italisë, por nuk na ka mbështetur asnjë person, as federata dhe askush. Në Shqipëri janë mbi 20 klube kik-boksi, por Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, edhe ata të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, i kemi përfaqësuar ne. Pse? Përveç nivelit si sportistë, ne kemi sponsorët tanë dhe e kemi përballuar financiarisht. Federata nuk na ka mbështetur fare. Si funksionon? Në 2017-ën morëm pjesë nga Federata Shqiptare e Kik-boksit, u erdhi ftesa atyre. Dolëm mirë, madje unë kam zhvilluar edhe 5 ndeshje brenda ditës dhe i kam fituar të pesta. Besoj se është diçka e rrallë për një sportist. Aty mora shumë ftesa për ndeshje, m’u afrua edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kik-boksit, WTKA-së. Më tha që në vazhdim do të na vinte ne ftesa direkt, jo federatës. Kemi marrë ftesa të tjera nga shumë vende për ndeshje, si nga Ukraina, Moldavia, Italia për këtë vit etj.

Stiven Jakupi, nënkampion bote. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Po federata çfarë bën? Nuk u bën përshtypje fare, nuk duan t’ia dinë çfarë bëhet me sportistët dhe klubet. Nëse ka fonde dhe patjetër ka, duhet të shkojnë te sportistët elitarë. Unë po i sjell Shqipërisë një medalje ari, kam 4 medalje ari, 3 tituj kampion bote. Vëllai ka sjellë 2 medalje dhe asnjë reagim, asnjë konferencë shtypi, asgjë. Jemi pjesë e “Kombat Berlin”, në Federatën Gjermane, jetojmë në Berlin, ku ekipi na mbulon gjithçka, por përfaqësojmë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare. Edhe në Gjermani mbajmë flamurin shqiptar dhe atë gjerman” - vazhdon të tregojë kampioni i botës.

Dy binjakët kanë pasur kontakte me përfaqësues të Ministrisë së Sporteve dhe pushtetit vendor, por kanë marrë thjesht një premtim aty për aty dhe më pas dikush u ka bërë të ditur se nuk ka fonde. “Nuk është hera e parë, i kemi çuar medaljet edhe në Ministri. Na kanë thënë se shteti shqiptar nuk ka fonde, asnjë fond, siç thonë ata. Nuk e kemi shumë problem, por thjesht një gjë simbolike, që ta dimë pse po e bëjmë këtë gjë, këtë sport, sepse është kënaqësi në fund të fundit. Kemi shkuar edhe te kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Ai na tha se do të na jepte 16 milionë lekë dhe thamë: ‘epo më në fund’. Pastaj na erdhi fjala se nuk ka fonde bashkia. Gjithsesi, shpresojmë të bëjmë një karrierë të mirë”, thotë Brusi.

Nga stërvita në Tajlandë. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Si paguhet një sportist kik-boksi
“Pagesat? Varet nga kampionatet. Mund të bësh dy ndeshje, ose thjesht një ndeshje teke. Nuk ka pagesa fikse, varet nga edhe nga shou që bën, se sa je në gjendje të fitosh zemrat e publikut, nga sponsorët që janë prapa. Kemi një kontratë me klubin, ku akomodimin, ushqimin, bazën materiale i heqin ata. Dhe, kur bëjmë një ndeshje në një kampionat, humbje apo fitore, marrim një shumë të caktuar dhe ajo ndahet, sepse është edhe trajneri, doktori, menaxheri. Janë shumë gjëra dhe secili merr vlerën e caktuar. Pa shkuar në Gjermani, familja na i ka sponsorizuar të gjitha, jemi bashkë me vëllanë në Gjermani dhe kemi bërë paraqitje të mirë. Po na vijnë mundësi më të mira” - e mbyll Brus Jakupi, 22-vjeçari që bashkë me vallanë Stiven po ngjitin me shpejtësi hapat e karrierës. Është për t’u çuditur që medaljet e tyre janë injoruar kështu nga federata, Ministria e Sporteve dhe Bashkia e Vlorës. Ndoshta pas këtij shkrimi, sponsorët në fanellat e tyre janë në “rrezik”…

Tre vëllezërit Jakupi në Itali. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë