Ekonomi

Ekonomia po paguan faturën e krimit

Mbiçmimi i lekut dhe pompimi në ekonomi i lekut kriminal janë fatura që po paguan ekonomia shqiptare.

Këtë e thotë për Gazetën "Si", eksperti i ekonomisë, njëkohësisht drejtor i “Albanian Center for Economic Research – ACER” Zef Preçi, i cili arsyet pse ekonomia shqiptare është tkurrur dhe konkurrueshmëria ka rënë, nuk i gjen tek faktorët ekonomikë dhe ato të tregut.

Zef Preçi drjetor i “Albanian Center for Economic Research – ACER "

“Parashikimi me ulje për ekonominë e 2019-ës nga Banka Botërore dhe rënia me 5 vende në Indeksin e Konkurrueshmërisë Globale 2019, të cilat janë rrjedhojë respektive e njëra-tjetrës, ishte diçka e pritshme. Siç e thashë, pompimi i parave kriminale, të drogës, etj e ka përgjysmuar ekonominë, por mandej ka ndikuar kriza e vazhdueshme dhe e tejzgjatur politike, hallakatja e administratës publike, si rrjedhojë besimi i konsumatorit ka rënë.”- thotë për “Si” Preçi duke shtuar se “faktorët dhe aktorët gjithmonë veprojnë ndërsjelltasi.”

Po ashtu për ekspertin Preçi edhe emigrimi ka koston e tij në ekonomi e kjo sipas tij do të ndihet edhe në afatmesëm e afatgjatë duke marrë parasysh plakjen e popullsisë dhe rënien e lindshmërisë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm për Preçin është edhe politika fiskale, që sipas tij nëse baza e kontribuesëve nuk zgjerohet, buxheti do të vazhdojë të vuajë nga defiçiti.
“Fokusimi në manovra fiskale po maskon mungesën e politikave pro zhvillimit që lidhen me rritjen reale të investimeve publike e private, me zgjerimin e punësimit, prodhimit vendas dhe eksportit…”

Ai e thekson se ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend nuk është një befais. Për Preçin kjo është paralajmëruar që përpara dy vjetësh, për shkak të strukturës së investimeve të huaja direkte, TAP dhe Devoll.

“Tkurrja e ekonomisë përveçse lidhet me përfudnimin e këtyre dy projekteve strategjike që ushqyen ekonominë me para, por pa ndikim tek zgjerimi i punësimit, për këtë sezon ndikoi edhe thatësira, tkurrja e mëtejshme është edhe për faktorë që nuk thuhen siç është pakësimi i numrit të konsumatorëve; zvogëlimi relativ i popullsisë kryesisht asaj në moshë të rë që ka reduktuar burimet e rritjes dhe konsumin në të njëjtën kohë. Ka më pak kontribues në sigurime edhe në punësim dhe njëkohësisht ka më pak konsumatorë, 10% në një dekadë ka tkurrur në mënyrë të natyrshme konsumimin.”

Eksperti Preçi parashikon që tkurrja ekonomike do të vazhdojë për sa oligarkët stimulohen dhe favorizohen, për sa kohë që kriza politike nuk do të marrë udhë, ekonomia nuk do të prodhojë vende pune cilësore me paga që i vijnë për shtat profesioneve, si rrjedhojë mungesa e besimit të konsumatorit do të rritet bashkë me dëshirën për tu larguar nga vendi.


“Në këto rrethana, ajo që duhet bërë është fokusimi i politikave shtetërore te klima e biznesit”, shprehet eksperti, Zef Preçi.
Pak ditë më parë Banka Botërore prezntoi raportin e vlerësimit për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
BB ripa me ulje rritjen ekonomike të Shqipërisë e cila për 2019 do të zgjerohet me 2,9 nga 3,8 që BB e kishte parashikuar në fillim të vitit.

Pak ditë më parë Banka Botërore vlerësoi se investimet përmes koncesioneve PPP-ve dhe situata financiare e ndërmarrjeve të fushës së energjisë dhe ujësjellësave janë me risk të madh për buxhetin..
Po ashtu, këtë javë edhe Forumi Ekonomik Botëror publikoi raportin e Indeksit të Konkurrueshmërisë për 141 ekonomi të botës. Shqipëria renditej e 81-ta duke rënë me 5 vende nga një vit më parë. Performanca e ekonomisë shqiptare sipas raprotit lë për të dëshiruar në stabilitetin makroekonomik, politikat fiskale, madhësinë e tregut dhe aftësinë për inovacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë