Ekonomi

Konkurrueshmëria globale, Shqipëria “rrëzohet” edhe më poshtë

Shqipëria është renditur e 81-të në raportin e indeksit botëror të konkurueshmërisë të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror nga 141 vende të marra në studim.

Ekonomia e Shqipërisë rezulton të jetë përkeqësuar krahasimisht me një vit më parë duke humbur pesë vende në renditjen e përgjithshme të ekonomive botërore.

Indeksi Botëror i Konkurueshmërisë mat klimën e biznesit, kapitalin njerëzor, tregjet dhe mjedisin për të zhvilluar inovacionin.

Raporti e konisderon ekonominë e Shqipërisë si të paqëndrueshme dhe për këtë renditemi në vendin 104. Po ashtu çalojmë në madhësinë e tregut, aftësinë për inovacion dhe sistemin financiar.

Për tregun e punës krahasohemi me Singaporin, i cili është renditur në vend të parë për konkurueshmërinë në botë. Për tregun e punës ne renditemi të 38-ët, kurse Singapori i 65-ti.

Ndër vendet e rajonit Serbia performon më mirë duke e renditur e 72-ta, e pasuar nga Mali i Zi. Kurse Maqedonia renditet pas nesh në vendin e 82-të.

Nga 141 ekonomitë botërore në vend të parë renditet Singapori duke u rritur me 1 vend. Në vend të dytë ka kaluar Amerika duke zbritur me një vend krahasuar me renditjen e një viti më parë e pasuar nga Hong Kongu, Hollanda e Zvicra.

Indeksi Global i Konkurrueshmërisë është një vlerësim vjetor për politikëbërësit për të parë përtej masave afatshkurtra. Vlerësimi është i organizuar në 12 shtylla: Institucionet; infrastruktura; Stabiliteti makroekonomik; Shëndeti; aftësitë, Tregu i produkteve; Tregu i punës; Sistemi financiar; Madhësia e tregut; Dinamizmi i biznesit; dhe aftësia për inovacion.

Rezultatet e raportit në 2019 zbulojnë se shumica e ekonomive vazhdojnë të jenë larg “Kufirit” ideal të konkurrencës për të gjithë faktorët përcaktues.

Raporti referon se 10 vjet nga kriza financiare, ndërsa bankat qendrore kanë injektuar afro 10 trilionë dollarë në ekonominë globale, duke rritur produktivitetin me anë të investimeve dhe zhvillimin e aftësive në fuqinë punëtore aktuale dhe të ardhshme, performanca ka qenë nën optimalen.

Raporti sugjeron se ekonomitë nuk kanë shteruar politikat monetare dhe për autorët e raportit është e rëndësishme që ekonomitë të mbështeten tek politika fiskale, reformat strukturore dhe stimulimet publike për të alokuar më shumë burime drejt gamës së plotë të faktorëve të produktivitetit për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë e reja të parashikuara nga Revolucioni i Katërt Industrial.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë