Menaxhim

Ekonomi: Këtë vit do ndiqet performanca e nëpunësve civilë. Cilësia e shërbimeve online do përmirësohet

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, teksa po fliste për prioritetet e 2023-shit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve online, tha se do ndiqet performanca e nëpunësve civilë në Shqipëri.

“Nisma e qeverisë nuk është vetëm për shërbimet qendrore por edhe vendore. Është e rëndësishme që të hartojmë një listë të unifikuar për standardet e shërbimeve.

Sa i takon Open Government Partnership, është e rëndësishme të thërrasim opinionet e shoqërisë civile në hartimin e këtij plani. Situata tjetër e rëndësishme është që të kemi institucione të mira që të bëjnë punët. Vendosja e praktikave operacionale është shumë e rëndësishme se është sfidë e madhe pasi përmirëson jetën e brendshme të çdo administrate ndaj po bashkëpunojmë me UNDP. Performanca e nëpunësve civilë është një tjetër detyrë e 2023. Performanca e individit nuk lidhet me atë të institucionit”, tha Ekonomi.

Ndërsa Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali teksa po fliste për start-up-et tha se sektori më përfitues rezulton të jetë teknologjia e informacionit dhe komunikimi me 35%.

“Çelësi i parë i suksesit është pasaporta e start up-it. Janë gjeneruar në total 1299 pasaporta ndërkohë që gjatë shërbimit të dhënies së konsulencës, e cila ishte falas dhe u bë përmes një sistemi online, kemi asistuar aplikantë për thirrjen e parë që kishte buxhet të dedikuar prej 300 milionë lekësh për 29 start-up.

Kategoritë që kanë përfituar nga thirrja e parë janë bashkitë, 7 prej tyre janë mbështetur në thirrjen e parë.Mosha mesatare e përfituesve të thirrjes së parë është 34 vjeç”, tha Bilali ndërsa shtoi se po u japin një rëndësi të madhe edhe nomadëve digjitalë, 100 prej të cilëve aktualisht po operojnë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë