Motosport

Ekleston pa doreza: Leklerk jo spektakolar, Hamilton do dështonte te Ferrari

Berni Ekleston, ashtu si gjithmonë, nuk ia përton aspak kur flet për Formulën 1. Ai flet pa doreza dhe në intervistën e fundit për “Daily Mail”, ka shigjetuar Ferrarin, kur është pyetur për sezonin e vështirë të skuderisë italiane, sepse sipas tij, ka favorizuar pilotin francez Leklerk, duke vënë në vështirësi Sebastian Fetelin. Sipas ish-padronit të Formula 1, Ferrari nuk është gati të rivalizojë për titullin kampion.

Për pilotin Leklerk, Berni Ekleston nuk ka pritshmëri të mëdha. “Besoj se e kemi parë tashmë më të mirën e Leklerk – thotë Ekleston, - ka bërë mirë dhe do të vazhdojë të bëjë mirë, por mendoj se nuk do të shohim asgjë spektakolare prej tij”. Fetel, sipas Ekleston, ka paguar administrimin e pilotëve nga Ferrari. “I kam thënë se ka bërë një sezon të dobët, duke e mbyllur i pesti, vendi që ka merituar. Por Ferrari ka favorizuar Leklerk 100%, është dashuruar pas një piloti dhe për tjetrin është bërë e vështirë. Shumë gjëra për Sebastianin nuk kanë funksionuar, gara e Kanadasë e fundosi, mendonte se Ferrari do ta mbështeste më shumë dhe me të drejtë akuzoi”, - ka shtuar Ekleston.

Berni Ekleston, ish-padroni i Formula 1. Gazeta Si, 17 mars 2020

Ekleston nuk është i bindur për administrimin e Matia Binotos për Ferrarin: “Nuk është një lider, është një inxhinier. Ferrari ka nevojë për dikë që ti bëjë njerëzit të kuptojnë se kur thuhet një gjë, ajo më pas ndodh. Duhet një Flavio Briatore, do të bënte atë që gjithmonë ka bërë me Benetonin dhe Renonë, do të kishte marrë më të mirët e skuadrave të tjera”.

Për sa u takon pilotëve, sipas Ekleston, Ferrarit do t’i duhej Vershtapen, i cili ka rinovuar me Red Bull-in, ndërsa për Hamiltonin thotë se do të dështonte me skuderinë italiane. “Me Maks Vershtapen nuk do të kishte probleme. Hamilton? Ljuisit do t’i thosha vetëm në çfarë ore është gara dhe pastaj do ta lija të lirë. Do ta paguaja më pak, por do t’i lija lirinë të kishte sponsor personalë. Po të isha në vend të tij, do të rinovoja me Mercedesin, ku ka liri të plotë. Te Ferrari do të dështonte, sepse është një skuadër italiane, duhej të mësonte italishten për të kuptuar çfarë thonë të tjerët. Problemi është se italianët nuk duan të zihen, nuk duan debate me asnjë. Në vend që t’i thonë dikujt se nuk po bën punë të mirë, i thonë ‘zgjidhe këtë punë, ose do ta zgjidh unë’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë