Motosport

Ekleston mbron sërish Putinin, Formula 1: Kundër vlerave tona!

Gazeta Si - Ish-drejtuesi i Formula 1, Berni Ekleston, del sërish në mbrojtje të presidentit rus, duke krijuar zhurmë me qëndrimin e tij. "Jam i bindur se tani Putin do donte që të mos e kishte nisur gjithë këtë gjë”, - ka thënë anglezi mes të tjerash.

Berni Ekleston nuk e mohon miqësinë me Vladimir Putin dhe në një intervistë për emisionin ‘Good Morning Britain’, ka thënë se është gati të ‘hajë’ plumbin për të, nëse është e nevojshme.

Ekleston dhe Putin. Gazeta Si, 1 korrik 2022

Ish-padroni i Formula 1, sot 91 vjeç, është krejtësisht kundër rrymës, në raport me qëndrimin e qeverisë britanike dhe BE-së. Ai del ‘me shpatë’ në mbrojtje të presidentit Putin.

Sipas Ekleston, ‘Putin mund të ketë bërë gabime’, por asgjë më shumë. Britaniku thekson se Putin "po bën atë që konsideron të drejtë për Rusinë".

Kur iu tha se nuk mund të justifikohen veprimet e Putinit, që kanë sjellë vdekjen e mijëra personave, Ekleston u përgjigj: ‘Nuk ishte ky qëllimi”. Anglezi ka pohuar se nuk ka folur me presidentin rus që kur ka filluar pushtimi i Ukrainës.

Kritikat më të ashpra Ekleston i ka ndaj presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski. Ai, sipas manjatit britanik, mund ta ndalte luftën, nëse do të negocionte me Putinin.

Fjalët e Eklseton kanë shkaktuar shumë polemika dhe kanë sjellë edhe reagimin e Formula 1: "Komentet e Berni Ekleston janë opinione personale dhe janë krejtësisht kundër vlerave të këtij sporti”, - shkruhet në një komunikatë të ‘Liberty Media’, që ka marrë administrimin e Formula 1 në 2017-ën pikërisht nga Eklseton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë