Histori

Ekipi kroat i shpëtimit vlerëson punën e shqiptarëve

Sabina Veizaj - Tomas Tamalevic është pjesë e ekipit kroat të shpëtimit që ka mbërritur në Durrës për të ndihmuar në identifikimin e viktimave të tërmetit të së martës nën rrënojat e ndërtesa të shkatërruara.

Ai është qenmbajtës dhe në dorë ka Tandën që e përkëdhel dhe i kërkon të qëndrojë urtë derisa të flasë me mua. Tanda është një qen nuhatës që arrin të identifikojë viktimat nën rrënoja. Grupi kroat përbëhet nga15 persona dhe 8 qen.

Tomas Tamalevic thotë se është mrekulluar nga ekipi shqiptar i shpëtimit. Ekipi kroat ka mbërritur të martën në darkë, thotë për Gazetën “Si” Tamalevic dhe ka gjetur një bashkëpunim të shkëlqyer me profesionistët shqiptarë dhe ekipet e tjera të huaja në vendngjarje.

“Ndihma e kolegëve shqiptarë ka qenë shumë e madhe dhe cilësore. Kjo është ndërhyrja e parë e jona në një ngjarje tërmeti, por mbështetja nga pala shqiptare ka qenë e shkëlqyer. Përgatitjet përpara se ne të ndërhynin ishin shumë precize, skenarët në pikat e ndryshme kanë qenë të llogaritura shumë mirë. Dhe gjithçka ishte sipas planifikimit”, thotë ai.
Tamalevic e takoj në mbrëmjen e së enjtes në zonën e plazhit ku tek rrënojat e hotelit "Mia Mare" vazhdonin ende kërkimet.

“Ne po presim këtu për të mbështetur djemtë e shpëtimit. Situata është shumë e vështirë. Gjithçka është nën kolaps. Kërkon kohë dhe shumë punë për të bërë ndërhyrjet. Ne kemi kërkuar me qentë, pastaj raportojmë dhe djemtë e shpëtimit ndërhyjnë në vendngjarje për të gërmuar dhe për të zhvendosur të gjithë materialet. Ky është vendi i katërt në Durrës ku kemi ndërhyrë. Asnjëherë nuk parashikohet dot rezultati. Pasi mbarojmë kërkimet në një vend, shkojmë në një tjetër ku kanë nevojë.”- shprehte kroati Tamalevic.

Ai më thotë se të gjithë po përpiqen shumë dhe se “shpresa është gjithmonë me ne. Është tërmet dhe është shumë e vështirë për të thënë mundësinë e gjetjes gjallë të personave nën rrënoja.”

Zona e plazhit në Durrës është shkatërruar krejt. Përpos grupeve që punojnë aty, gjithçka tjetër hesht…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë