Bota

Egjipti hap kufirin për ndihmat në Gaza. Sunak në Tel Aviv: Britania qëndron krah Izraelit

Gazeta Si - Egjipti ka njoftuar kalimin "të qëndrueshëm" të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës përmes vendkalimit Rafah, ndërsa qindra kamionë humanitarë janë ende të parkuar para portave të enklavës së bombarduar pandërprerë nga Izraeli.

"Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sissi dhe presidenti i SHBA Joe Biden kanë rënë dakord për furnizimin e ndihmës humanitare në Rripin përmes kalimit Rafah në një mënyrë të qëndrueshme", - tha zëdhënësi presidencial Ahmed Fahmy në një deklaratë për shtyp pa specifikuar një datë.

Pavarësisht hapjes së pikës kufitare, ende nuk është e qartë nëse do të lejohet dhe kalimi i civilëve, një numër i madh i të cilëve është bllokuar aty që pas paralajmërimeve të Izraelit se duhet të largohen sa më shpejt nga veriu i Gazës.

Pika e kalimit kufitare të Rafah është caku më jugor për të dalë nga Gaza dhe për të hyrë në territorin egjiptian të gadishullit të Sinait. Zakonisht nuk është e lehtë për palestinezët që të largohen nga Gaza përmes kësaj pike kufitare.

Personat që dëshirojnë këtë gjë duhet të aplikojnë tek autoritetet palestineze 4 javë më parë, dhe mund të pengohen të kalojnë nga të dyja palët pa asnjë motiv, edhe nëse marrin leje.

Aktualisht, Rafahu është e vetmja pikë për kalimin e ndihmave humanitare, pasi Izraeli ka rrethuar të gjithë pjesën tjetër të Rripit të Gazës.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, është shprehur se sulmet e Hamasit më 7 tetor ishin një akt i tmerrshëm terrorizmi, teksa përsëriti mbështetjen e Britanisë për Izraelin.

Kryeministri britanik, Sunak, e bëri deklaratën në një prononcim të shkurtër për gazetarët pas mbërritjes në Izrael në aeroportin e Tel Avivit.

“Sulmet e Hamasit më 7 Tetor ishin një akt i papërshkueshëm dhe i tmerrshëm terrorizmi. Britania e Madhe qëndron në krah të Izraelit”, tha Sunak.

Ai shtoi se pret takimet me zyrtarët e lartë izraelitë, teksa shtoi se shpreson që ato të jenë takime që do të sjellin produktivitet.

“Pres me shumë padurim takimet e mia më vonë me kryeministrin dhe presidentin dhe shpresoj shumë që ato të jenë takime produktive”, tha Sunak.

Zyra e Kryeministrit britanik ka njoftuar se Sunak do të shprehë ngushëllimet për viktimat në Izrael dhe në Gaza si pasojë e sulmeve terroriste të Hamasit.

Sunak do të kërkojë një mundësi që të krijohet korridor humanitar për të dërguar ushqime në Gaza dhe që shtetasit britanikë që janë bllokuar aty të mund të largohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë