Motosport

Efekti Sainz-Ferrari, luftë për të drejtat e transmetimit në Spanjë

Ka nisur tashmë beteja në Spanjë për të siguruar të drejtën e transmetimit të garave të Formula 1. Dazn dhe Movistar po luftojnë fort dhe shifra e ofruar pritet të trefishohet, pas kalimit të pilotit Karlos Sainz te Ferrari.

Ky është efekti i parë i kalimit të pilotit spanjoll te skuderia italiane. Kontrata aktuale e transmetimit të garave është trevjeçare dhe skadon në fund të këtij sezoni, ndaj dhe periudha tjetër që përfshin 3 ose 4 sezone, do të ketë një vlerë tjetër për transmetuesit iberikë. Prania e pilotit të tretë spanjoll në një makinë Ferrari ndryshon gjithçka.

Vlera mund të rritet edhe më shumë, nëse kthehet në Formula 1 edhe Fernando Alonso, një tjetër spanjoll. Për momentin, të drejtën televizive në Spanjë për garat e ka Movistar, që po sulmohet hapur nga Dazn. Platforma angleze i ka rrëmbyer tashmë konkurrentit spanjoll të drejtën e transmetimit të motoçiklizmit dhe, duke synuar rritje akoma më të madhe, Dazn ka përgatitur gjithçka për të pasur në dorë edhe automobilizmin.

Sipas asaj që raporton “Periodico di Catalunya”, beteja do të jetë mes këtyre dy operatorëve, sepse askush tjetër nuk është në gjendje të paguajë shifrën, që pas efektit Sainz, mund të shkojë në 100 milionë euro në sezon. Një rritje e dukshme në krahasim me 65 milionë eurot që paguhen aktualisht. "Kemi investuar te Formula 1 që nga viti 2014, – janë shprehur drejtues të Movistar për “Periodico”. – Nuk duam të heqim dorë. Kuptohet që vështirësitë e krijuara nga koronavirusi mund të bëjnë që të ketë një rishikim të kushteve ekonomike, por është e qartë se kalimi i Sainz te Ferrari sjell më shumë interes për Formula 1".

Një situatë mes krizës dhe euforisë për një produkt që pas largimit të Alonsos në Spanjë kishte humbur shumë kuota. Në vitin 2019, mesatarja e spektatorëve në Spanjë për një garë të Formulës 1, sipas Movistar, ka qenë 150.000 spektatorë, 30% më pak se në vitin 2018. Por edhe nga Dazn kërkohet me ngul të investohet te Formula 1. "Nga ana jonë ka një vullnet për të pasuruar atë që është tashmë një paketë e madhe. Formula 1 do ta kompletonte këtë paketë”, - kanë thënë përfaqësues të platformës angleze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë