Njerez

Efekti ‘Dua Lipa’ – Jo vetëm muzikë por edhe para ‘falas’

Nga Gazeta 'Si' - Sheshi Skënderbej gëlonte nga të rinjtë. Koncerti që Dua Lipa mbajti në Tiranë, si pjesë e turit të saj “Future Nostalgia”, i cili përkoi edhe me Festat e Nëntorit, i kishte mbledhur aty që në orën 17:00 të pasdites.

Me gotat e birrës në duar, të blera aty pranë, ata pritën të ekzaltuar me orë të tëra momentin e ngjitjes së Dua Lipës në skenë.

Ishin mbledhur disa orë më herët në mënyrë që të gjenin vendet më të favorshme pas atyre “Vip” për të parë atë nga afër, duke sfiduar edhe temperaturat e ftohta.

Një pjesë e madhe e tyre, kryesisht të moshave 20-25 vjeç, kishin ardhur nga matanë kufirit dhe qëndronin të organizuar në grupe.

“Sa herë që Dua Lipa vjen për koncerte në Shqipëri, qytetarë të shumtë nga rajoni, por kryesisht nga Kosova dhe nga Mali i Zi bëjnë rezervime të shumta.

Mbrëmë kryesuan shqiptarët e Kosovës që janë gjithmonë të parët që rezervojnë për të ardhur dhe për ta mbështetur Dua Lipën. Por megjithatë, kanë ardhur dhe nga Gjermania dhe një pjesë e vogël nga Stambolli sepse ishte më e favorshme ekonomikisht për ta, që vetëm të prisnin biletën dhe të shijonin koncertin falas.

Edhe pse një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë qenë jashtë vendit për festa, pati prurje të shumta nga qytetet e tjera”, kështu thotë për Gazetasi.al, një nga punonjëset e agjencisë turistike Matias.

Në fakt, prurjet e qytetarëve nga rajoni i pohojnë për Gazetasi.al edhe pronarët e hoteleve rreth perimetrit të qendrës së Tiranës.

“Dua Lipa është e pritshme të ketë shumë mbështetje nga shqiptarët e Kosovës që nuk ngurrojnë kurrë që të vijnë në Shqipëri për ta parë dhe bëjnë rezervime të shumta në hotel. Mbrëmjen e shkuar rreth 15% e rezervimeve ishin nga Kosova por edhe nga Mali i Zi dhe disa nga Maqedonia.

Por, së fundmi, pasi Dua Lipa qëndroi edhe gjatë verës në Shqipëri shumë turistë që kanë ardhur thonë që janë bërë kuriozë pikërisht nga postimet e saj dhe ndaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë.

Është interesante se si shumë prej tyre sa vijnë thonë : ‘Erdhëm në Shqipërinë e Dua Lipës’ sepse ajo përpos postimeve e ka promovuar herë pas herë edhe në intervista për media të huaja botërore”, thotë për Gazetasi.al Klensoni, pronari i një hoteli në zonën e Galerisë, tek ish-Kinema 17 Nëntori.

Ndër turistët e huaj, ai shton se janë britanikët ata që nxiten më shumë nga ajo për të vizituar Shqipërinë.

Që Dua Lipa është kthyer në një brand më vete, ky nuk është më lajm, dhe sipas tur-operatorëve turistikë ajo shpesh po kontribuon për turizmin shqiptar dhe atë të Kosovës, më shumë se vetë qeveritë.

“Dua është një artiste ndërkombëtare me miliona ndjekës e cila përveçse ka marrë çmime të shumta dhe ka organizuar një turne në botë, dallohet për nismat e saj financiare.

Dua Lipa bashkëthemeloi Fondacionin Sunny Hill me babain e saj Dukagjin Lipa, i cili ka dhënë 100.000 euro për bamirësi dhe ngjarje kulturore në Kosovë. Ajo gjithashtu ka organizuar edhe festivalin Sunny Hill në vitin 2018 dhe koncerte të tjera të shumta ku paratë janë dhënë po për bamirësi.

Por përtej kësaj, vetëm promovimi që bën në rrjetet sociale për vendin tonë, do e bëjë Shqipërinë një yll të sezoneve të mëtejshme turistike”, thotë për Gazetasi.al Besnik Vathi, Kreu i Shoqatës Shqiptare të Tur-operatorëve, referuar edhe postimeve që ajo bëri gjatë verës në disa vende të Shqipërisë e që sollën prurje të shumta turistësh në Shqipëri.

Vathi shprehet se Dua Lipa është "marketingu i munguar"

Atë strategji marketingu që ishujt grekë, sot një pol turizmi, kanë bërë që në krye të herës duke u bërë të njohur bie fjala me xhirimin e Zorbës nga Anthony Quinn, tashmë po e bën Dua Lipa për Shqipërinë.

“Ajo është marketingu i munguar por i domosdoshëm për turizmin shqiptar.

Duke marrë parasysh faktin që ajo ka ndjekës aq të shumtë, aktivitete të tilla duhen përshtatur tashmë jo si formë falas. Kjo është një gjë që shtetet e tjera e kanë bërë prej kohësh, aq më tepër kur ke mundësinë për të patur një këngëtare aq të famshme me origjinë shqiptare.

Duhet pse jo që edhe të lidhet një kontratë me të, ashtu siç operon e gjithë bota, në mënyrë që ta paguash për ta patur në mënyrë të vazhdueshme.

Nëse duam të kemi turizëm bregdeti, nuk mjafton që ajo thjesht të postojë foto dhe video personale edhe në vende të humbura e të harruara, por duhet të ketë një ekip profesionistësh që merren me turizmin shqiptar, që të përgatisin promot dhe të promovohet ashtu siç duhet”, vijon ai duke thënë se ajo është një “zë” i rëndësishëm që po e bën të jehojë turizmin shqiptar..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë