Futboll

Efekti domino i sulmuesve për klubet e mëdha, PSG zyrtarizon portugezin Ramos

Gazeta Si – PSG-Gonçalo Ramos: tani është zyrtare. Sulmuesi portugez është lojtari më i ri i parisien, huazim për një vit dhe më pas detyrim blerjeje për 65 milionë euro, plus 15 bonuse për sulmuesin e vitlindjes 2001.

Ishin të shumtë emrat në listën e drejtuesve të PSG-së, nga Vlahoviç tek Osimhen dhe Kejn, në fund u zgjodh i riu portugez, ai me koston më të ulët. Bëhet fjalë për blerjen e 8-të të klubit francez për këtë verë, pas Shkriniar, Asensio, Ugarte, Le Kang-In, Lukas Hernandez, Cher Ndour e Arnau Tenas.

Gonçalo Ramos është një nga qendërsulmuesit më premtues të Europës. Ai ra në sy vitin e fundit, si me Benfikën, ashtu edhe me Portugalinë. I fortë fizikisht dhe i shpejtë, ai numëron 47 ndeshje, 27 gola dhe 12 asiste sezonin e shkuar, kur shkëlqeu edhe në Botërorin e Katarit me një tripletë ndaj Zvicrës. PSG bën kështu një goditje për të tashmen dhe të ardhmen.

Vendimtar për blerjen e Ramos ishte Luis Kampos, drejtori sportiv i PSG-së, që e njeh shumë mirë futbollin portugez. Ai e kishte vënë në shënjestër sulmuesin përpara se të shpërthente.

Tashmë pritet efekti domino në lidhje me sulmuesit e klubeve të mëdha. Vendi te PSG është zënë, ndërsa Bajern Mynih dhe Juventusi pritet të bëjnë tashmë lëvizjet e tyre. Totenhemi ka refuzuar edhe ofertën e fundit të bavarezëve prej 100 milionë eurosh për Herri Kejn. Kjo do të thotë se klubi i madh gjerman mund të kthejë sytë nga Vlahoviç.

Herri Kejn i kerkuar me ngulm nga Bajerni. Gazeta Si, 8 gusht 2023

Në anën tjetër, Juventusi kërkon ta sistemojë sa më parë serbin për t’i hapur rrugën blerjes së Romelu Lukakut. Në bisedimet mes klubeve kishte një ide për shkëmbimin e dy sulmuesve, por trajneri i Celsit, Mauricio Poçetino, nuk duket shumë i bindur nga Vlahoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë