Motosport

Efekti Covid-19 te Formula 1: Të ardhurat ranë me 96% në tremujorin e dytë

Formula 1 regjistroi një rënie të ardhurash prej 596 milionë dollarësh në tremujorin e dytë, për shkak lockdown nga pandemia Covid-19, anulimit ose shtyrjes së garave të parashikuara në periudhën mars-qershor 2020. Kështu shkruan “SportsPro”, që nënvizon se të ardhurat e Formula 1 në tremujorin e dytë ishin 24 milionë dollarë, krahasuar me 620 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rënia e të ardhurave ishte me 96%. Anulimet ose shtyrja e garave, me sezonin që rinisi zyrtarisht më 5 korrik, kanë shkaktuar në tremujor një humbje operative prej 122 milionë dollarësh.

Në detaje, në tremujorin e dytë, Formula 1 ka gjeneruar 12 milionë dollarë, të lidhura me burimin kryesor të të ardhurave ose tarifave të promovimit të garave dhe pagesave të kontratave të sponsorizimit, si dhe të drejtat audiovizive. Në të njëjtën periudhë të vitit 2019, Formula 1 gjeneroi nga këto zëra të ardhurash 531 milionë dollarë. Edhe të ardhurat e gjeneruara nëpërmjet burimeve të tjera u ulën nga 89 milionë dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2019 në 12 milionë dollarë në 2020.

Ndërkohë, Formula 1, në pronësi të “Liberty Media”, nuk iu ka kryer asnjë pagesë skuderive, në mungesë të garave, duke kursyer rreth 335 milionë dollarë, të paguara në të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Edhe kostot e tjera janë reduktuar me 85%- nga 106 milionë dollarë në 16 milionë dollarë, për shkak të anulimit të garave dhe shtyrjes së shpenzimeve jokritike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë