Suplementet dietike kategorizohen në një lloj zone gri. Shpeshherë ato i ngjajnë ilaçeve, sepse janë në formën e pilulave, dhe shiten në flakonë me tapa të forta, në mënyrë që të mos hapen lehtësisht nga fëmijët e vegjël.
Ndërkohë etiketat e tyre mund të sugjerojnë disa përfitime shëndetësore. Megjithatë, në dallim nga mjekimi, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i konsideron suplementet si ushqim, dhe nuk ka ndaj tyre të njëjtën mbikëqyrje si ndaj ilaçeve.
“FDA nuk analizon përmbajtjen e suplementeve dietike, kjo deri në momentin që konsumatorët ankohen për të”, thotë Lina Begdache, dietologe dhe profesoreshë e asociuar e studimeve të shëndetit dhe mirëqenies në Universitetin Binghemton në Nju Jork.
Thënë kjo, ndonjëherë mund të jetë e vështirë që efektet anësore që përjetoni të lidhen me suplementet që jeni duke marrë, shton Begdache. Shpesh këto efekte, do të jenë të natyrës gastrointestinale, ndoshta pak të vjella dhe diarre që konsumatorët mund t’i shpjegojnë me gjëra të tjera. Megjithatë, suplementet, të cilat përfshijnë një sërë gjërash nga vitaminat, mineralet, aminoacidet, barishtet etj, mund të shkaktojnë gjithashtu efekte anësore që janë pak më të pazakonta.
Vitamina D
Është një vitaminë e tretshme në yndyrë, shumë e rëndësishme për shëndetin e kockave dhe funksionet e tjera të trupit. Mjeket rekomandojnë shpesh marrjen e një suplementi të vitaminës D, sidomos nëse jetoni në një zonë kur nuk merrni mjaftueshëm vitaminë përmes ekspozimit në Diell.
“Megjithatë, një nivel i lartë i vitaminës D mund të rrisë nivelet e kalciumit në gjak”, thotë Kelvin Fernandez, ekspert i mjekësisë së brendshme në Qendrën Mjekësore “Newark Beth” në Israel.
“Dhe kjo mund të shkaktojë më vonë probleme të rënda të veshkave apo edhe anomali të zemrës”, thotë ai.
Dhe ndërsa nganjëherë raportohet se vitamina D ndihmon në adresimin e problemit të pështjellimit mendor, jo pak studime kanë treguar se në sasi të mëdha, ajo shkakton konfuzion dhe apati, ndër shumë simptoma të tjera shqetësuese.
Kolina
Është një tjetër lëndë ushqyese jetike, e cila gjendet natyrshëm tek vezët dhe ushqimet e detit. Është vërtetuar se ky suplement sjell një mori përfitimesh, përfshirë forcimin e kujtesës, zbërthimin e kolesterolit dhe sigurimin e ushqimit për bakteret e dobishme të zorrëve.
“Megjithatë, një mbidozë e kolinës mund t’i japë konsumatorit të saj një erë të rëndë peshku. Po ashtu, mund të shkaktojë djersitje të tepërt, sasi të shtuar të pështymës dhe tension të ulët”, thotë Inna Yegorova, e cila ofron shërbime kërkimore, zhvillimore dhe rregullatore për ata që punojnë në industrinë e suplementeve dietike dhe produkteve ushqimore.
Niacina
Përveç kësaj, Yegorova e vë theksin tek Niacina (e njohur edhe si vitamina B-3), për arsyen e shkaktimit të një efekti anësor të çuditshëm. Niacina ndihmon në shndërrimin e lëndëve ushqyese në energji si dhe në riparimin e ADN-së.
Por kur merret në doza më të larta, mund të shkaktojë probleme me stomakun, dhe madje të skuqë në fytyrë atë që e konsumon. Një shembull tjetër i çuditshëm, mund të gjendet tek glukozamina, një suplement që mbështet shëndetin e kockave dhe kyçeve për njerëzit që vuajnë nga osteoartriti. Megjithatë, dihet se ajo e rrit edhe tensionin e syve.
Atëherë, a duhet të marrim suplemente?
Begdache është në përgjithësi mbështetëse e marrjes së lëndëve ushqyese përmes dietës ushqimore normale dhe më pak e suplementeve. “Nëna Natyrë i ka vendosur vlerat ushqimore në një sasi vërtet optimale. Për shembull, vitaminat e tretshme në yndyrë (A, D, E dhe K) absorbohen më mirë në prani të yndyrës. Edhe ushqimi me vitamina të tretshme në yndyrë që gjenden në mënyrë natyrale, ka në përgjithësi prani të yndyrës”-thotë ekspertja. Një studim mbi shëndetin e grave, analizoi përdorimin e suplementeve dietike të vitaminave dhe mineraleve tek gratë e moshuara gjatë shumë dekadave. Ai zbuloi se vitamina B6, acidi folik, hekuri, magnezi, zinku dhe bakri, ishin të lidhura me një jetëgjatësi më të shkurtër në mesin e 40.000 grave që morën pjesë në studim.
Nga ana tjetër, i njëjti studim tregoi se konsumimi i kalciumit e rriste potencialisht jetëgjatësinë. Ndërkohë një studim tjetër, vlerëson se më shumë se 20.000 vizita në njësinë e urgjencës çdo vit i atribuohen përdorimit të suplementeve dietike në SHBA.
Zakonisht rastet kanë të bëjnë me fëmijë të pambikëqyrur që marrin aksidentalisht suplemente, problemeve me gëlltitjen tek të rriturit, dhe përdorimin e suplementeve energjitike dhe të rënies në peshë tek të rriturit.
“Kur merr suplemente, një konsumator duhet të jetë i vetëdijshëm mbi mundësinë e një reagimi të keq apo një efekti anësor- thotë Yegorova. Sidomos kur konsumatori kombinon suplemente të ndryshme, i përzien ato me ilaçet, merr një dozë shumë të lartë apo i merr suplementet në vend të ilaçeve të rëndësishme.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se suplementet nuk luajnë një rol të vlefshëm në shëndetin tonë.
“Gjatë shekulli të kaluar, u zgjerua shumë kuptimi ynë mbi suplementet”- thotë Fernandez. “Në fillim i pamë ato si mjete të thjeshta për të ndrequr mangësitë. Por tani e dimë se ato mund të luajnë role komplekse në parandalimin e sëmundjeve, menaxhimin e tyre dhe mirëqenien e përgjithshme”-shton ai.
Burimi: Discover. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.