Mendim

Edhe unë jam “budalla”, zoti Hafizi

Nga Mendrit Shehu- “Ne jemi bërë nga e njëjta substancë si ëndrrat”, ka thënë Uilliam Shekspir. 400 vjet nga vdekja e tij kjo shprehje ende mbahet mend. Dhe 400 vjet më vonë është dikush që arriti ti materializonte këto ëndrra, duke ia realizuar atë ëndërr një qyteti dhe një ekipi që nuk i ishte afruar kurrë, gëzimit për të qenë kampionë të Anglisë . Claudio Ranieri , një trajner italian i cili asnjëherë nuk u kënaq me rezultatet dhe kritikat, i udhëhoqi ‘’Dhelprat’’ drejt një titulli që pritej që nga viti 1884 , vit në të cilin u themelua klubi i East Midlands.

Në Shqipëri, një ish-trajner afërsisht të të njëjtës moshë me Ranierin, mendon që të ëndërrosh kualifikimin të bën automatikisht idiot apo budalla. U benë disa vite që Astrit Hafizi, nga pozicioni komod i analistit, nxjerr vrer për trajnerët apo edhe për lojtarët e kombëtares. Nuk kursen askënd, lojtarët, trajnerët, skemat apo edhe vetë tifozët. Deklarata e djeshme shkon përtej thumbimeve të zakonshme. ‘’Është idiot apo budalla ai që mendon që mund të shkojmë në Botëror. Pse do të përsëritet prapë skema si shkuam në Europian? Do të dënohet dikush që të marrim pikë?, u shpreh Hafizi.

Sa herë që flitet për kombëtaren, ‘’Hafizët’’ mediatikë gjithmonë përmendin pikët me Serbinë. Është e padrejtë që pas 5 vjetësh të diskutojmë ende sesi u kualifikuam. Nuk kanë rëndësi as pikët, as ngjarjet që pasuan, por fakti që pas shumë vitesh ne patëm mundësinë te ëndërronim me ngjyrat kuqezi. Nuk ta kanë fajin tifozët zoti Hafizi, që duke qenë një nga trajnerët më jetëgjatë të kuqezinjve dhe duke pasur në dispozicion brezin më të talentuar të lojtarëve, nuk arritët të kualifikoheshit në ndonjë kompeticion. Kombëtarja në këto 2o vite ka zhvilluar ndeshje spektakolare, por për ju ndeshja më e bukur vazhdon të jetë barazimi në Norvegji, që po të kishit ëndërruar edhe pak mbase edhe do ta fitonim. Historia e futbollit ka njohur shume ‘’budallenj’’. Rasti më i mirë është Greqia që duke ‘’ëndërruar’’ arriti të çonte në shtëpi trofeun e Europianit. Leicesteri i Ranierit apo edhe Porto e Mourinhos kanë ëndërruar dhe kanë arritur rezultate fantastike.

Është pikërisht ky vizion i shpalosur që më shkundi nga dyzimi për të ëndërruar kualifikimin. Do të ëndërroj që kombëtarja të vazhdojë një aventurë të re. Do të bëhem edhe unë “budalla” si shumica e tifozëve. Më mirë me “budallenj” si ata, se me “të zgjuar” që me inatin e tyre e kërkojnë të demoralizojnë njerëzit. Është e vërtetë që grupi në të cilin ndodhet Shqipëria është i vështirë, me skuadra të forta apo edhe me lojtarë kampionë, por midis emocioneve të kombëtares, pesimizmit dhe vrerit në çdo ndeshje, preferoj të jem një ‘’budalla’’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë