Jorida Tabaku, që me bashkimin e grupit të PD-së me ‘Rithemelimin’, u kooptua edhe anëtare e kryesisë, nuk kishte hyrë në selinë blu, (atë të vjetrën) qysh prej janarit të vitit 2022, kohë në të cilën, për shkak të trazirave të brendshme në parti, ajo u detyrua të futej nga dera anësore.
Dera kryesore e partisë kur drejtohej nga Lulzim Basha hapej vetëm për këtë të fundit.
Tabaku e kapërceu sikletin e parë. Ndaj dhe sot, në fillim të sesionit të ri parlamentar dhe vetëm 9 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Tabaku që synon një tjetër mandat deputeti, i ngjiti sërish shkallët. Pa droje. Kësaj here nga dera kryesore.
Ajo iu bashkua mbledhjes së grupit parlamentar demokrat që drejtohet nga kolegu i saj Gazment Bardhi me të cilin ajo ruan marrëdhënie të mira politike.
Tabaku, e cila e ka parë veten gjithnjë pjesë të PD, e bëri kapërcimin e madh.
Për shumëkënd mund të duket lëvizje mekanike. Porse politikisht do të thotë shumë.
Sepse kush e ka kaluar atë prag njeh vetëm një kryetar; Sali Berishën, emri që hezitoi deri më tash Tabaku edhe pse e ka pranuar si realitet politik.
Por zgjedhjet kësaj here nuk janë fort larg...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.