Ne rrjet

Edhe sa foto nga katastrofa e Covid-19 duhen që vendet e pasura të nxiten për të vepruar?

Ndërsa numri i rasteve me Covid-19 u rrit në mënyrë dramatike në Europë dhe SHBA gjatë pjesës së parë të vitit të kaluar, diçka e çuditshme dukej se po ndodhte në jugun global.

I gjithë numri i të vdekurve në Afrikën e Jugut ishte më pak se 100 në të njëjtën kohë që Britania po humbte më shumë se 1.000 jetë në ditë.

Shkalla e vdekjes së Indisë gjatë kësaj periudhe ishte aq e ulët saqë u quajt një "mister". Për fatin e Afrikës u tha se kontinenti ishte shpëtuar nga klima e saj e ngrohtë, popullsia e ulët e të moshuarve dhe "sistemet e mira shëndetësore të komunitetit".

Shumica e këtij arsyetimi ishte spekulativ. Por nga fundi i verës së vitit 2020, dy tendenca të qarta po dilnin. Ndërsa pjesë të Europës perëndimore po kalonin një valë të parë shkatërruese të rasteve me Covid-19, Afrika dhe Azia e Jugut po përjetonin një normë infektimi të ngadaltë dhe një numër relativisht të ulët të vdekjeve. Kjo gjë tani përmbyset.

Me programet e vaksinimit, pandemia në vendet perëndimore më në fund duket se po zbehet dhe e kundërta po ndodh në vendet me të ardhura të ulëta.

 Shumica e popullsisë së botës jashtë vendeve të pasura po përballen me një krizë të zgjatur nga Covid-19. Për disa vende nuk ka asnjë mënyrë për të vlerësuar se kur do të mbarojë pandemia. Në vend të kësaj, ajo që pritet përpara është pasiguri e hapur, ndërsa popullatat përpiqen dhe dështojnë në mënyrë të pashmangshme, të bashkëjetojnë me këtë virus.

Për çdo masë që e vendosi Afrikën dhe Azinë Jugore në një pozitë të mirë në fillim të pandemisë, ekziston një tjetër që e minon atë.

Ka vërtet sisteme të forta shëndetësore të komunitetit në pjesë të Afrikës perëndimore, një trashëgimi e krizës së Ebola. Por, në zonat rurale, shumë njerëz nuk kanë qasje në spitale të mëdha dhe disa vdekje nuk regjistrohen zyrtarisht. Frika e stigmës sociale që mund të ketë një diagnozë Covid-19 do të thotë që disa njerëz varrosin të afërmit e tyre të ndjerë me nxitim, pa marrë një diagnozë.

Kur një virus lejohet të përhapet në heshtje dhe shkencëtarët nuk kanë të dhëna për të hartuar trajektoren e tij, është e vështirë të thuash se çfarë po ndodh në të vërtetë derisa një rritje traumatike e niveleve të vdekjes të hedh dritë mbi numrin e rasteve. Ky është realiteti aktual në Indi, i cili duket se do të përhapet sëshpejti edhe në vendet e tjera.

Një studim i shkurtër i disa prej vendeve më të mëdha afrikane sipas popullsisë tregon se sa e paqëndrueshme është situata akoma. Afrika e Jugut dhe Etiopia mbeten në listën e kuqe dhe janë në faza të ndryshme bllokimi ndërsa qeveritë e tyre bashkojnë programet e vaksinave. Egjipti ka shkurtuar vitin shkollor dhe duket se po shkon drejt kulmit të valës së tij të tretë. Në vendet e varfëra ku mbështetja e shtetit është e kufizuar, bllokimet mund të jenë aq vdekjeprurëse sa vetë virusi.

Rezultati nuk është vetëm shpërthim sporadik por një popullatë e tërë e bllokuar dhe e dënuar të jetojë me virusin. Skenari më i mirë është që qeveritë janë në gjendje të përmbajnë një kulm të lartë të rasteve përmes bllokimeve. Skenari më i keq është lloji i shpërthimit që po shohim në Indi. Disa vëzhgues vlerësojnë se virusi do të vrasë më shumë njerëz në vitin 2021 sesa bëri në vitin 2020.

Në kohën kur bota kishte parë imazhet nga India që tregonin djegiet masive, vendi ishte përfshirë tashmë në një krizë. Këto imazhe e shtynë Joe Biden  të zotohej të dërgonte një "seri të tërë ndihme".

Por nuk duhet të presim për imazhe që të nxitet veprimi. Ajo që kërkohet është diçka shumë më ambicioze sesa dhurimet e vaksinave.

Bota ka nevojë për një ushtrim global logjistik, një lloj plani Marshall që do të siguronte mbështetje financiare, fuqi punëtore eksperte dhe teknologji mjekësore.

 Në SHBA senatorët demokratë, progresistët, OJQ-të dhe një aleancë prej 175 ish-liderësh botërorë dhe laureatëve të Nobelit janë bashkuar për të ushtruar presion mbi Biden për të hequr dorë nga mbrojtja e pronës intelektuale mbi vaksinat.

Kur të bëhet i qartë numri real i vdekjeve dhe infeksioneve në vendet e varfëra, do të jetë tepër vonë për shumë njerëz.

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë