Treg

Edhe pse rritën pagat, bizneset shqiptare janë pa punëtorë. BSH: Analizoni me kujdes demografinë e produktivitetin

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e pagave ka pasqyruar zgjerimin e shpejtë të kërkesës për punë dhe mungesat në rritje të fuqisë punëtore, thotë Banka e Shqipërisë.

Në një vrojtim përgjatë vitit 2023, BSH thekson se mungesa e stafeve është një risk serioz për të ardhmen e bizneseve shqiptare dhe ndonëse pagat janë rritur, vendet e punës mbeten bos.

“Gjatë vitit 2023, shkalla e rëndësisë së tij është rritur 5 herë në krahasim me vitin 2019, teksa mungesat në fuqinë punëtore kanë prekur të gjithë sektorët e vrojtuar. Për pasojë, pagat në sektorin privat kanë ndjekur një prirje rritëse prej fundit të vitit 2021, ku normat vjetore të rritjes kanë kërcyer nga 6.6% në vitin 2021, në 12.2% në vitin 2022, dhe 13% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023. Rritja e pagave është me bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të shkallës së kualifikimit të fuqisë punëtore”, thuhet në vrojtimin e Bankës.

Aty përmendet dhe rreziku që ka rritja e pagave në ekonomi, pasi ushtron presion mbi inflacion dhe në rritjen e kostove të prodhimit. Analiza e Bankës Qendrore rekomandon dhe trajtim të kujdesshëm të trendeve demografike si dhe nivelit të produktivitetit e konkurrencës, kur bëhet fjalë për rritje pagash.

Oferta e punës do të vijojë të jetë njësoj e kufizuar edhe në të ardhmen për shkak të lindjeve të ulëta, emigrimit dhe plakjes së popullsisë. 

“Situata demografike e vendit është karakterizuar nga ndryshime të shpejta strukturore gjatë dy dekadave të fundit. Popullsia ka ardhur në rënie, e ndikuar nga faktorë si ulja e treguesve të lindshmërisë, plakja e popullsisë dhe emigracioni. Paralelisht me rënien e popullsisë, mosha mesatare e saj në vitin 2022 vlerësohej 38.2 nga 36.7 vjeç në vitin 2019 dhe mosha mediane është rritur. Për rrjedhim, piramida e moshës së popullsisë paraqitet me bazë në ngushtim, teksa numri i të rinjve ka rënë dhe ai i të moshuarve është rritur. Ndërkohë, ritmi i tkurrjes së popullsisë në moshë pune është përshpejtuar, nga niveli 0.3% në periudhën e parë, në nivelin 2.1% për periudhën e dytë. Përcaktuese në këtë rënie janë kontributet negative nga grup-mosha më e re (15-29 vjeç) dhe nga grup-mosha 30-64 vjeç, ndërkohë që kontributet e vetme pozitive dhe lehtësisht të zgjeruara burojnë nga kategoria mbi 65 vjeç. Këto zhvillime evidentojnë një plakje relative të popullsisë në moshë pune”, shpjegon Banka.

Ekonomia shqiptare ka krijuar 68,000 vende të reja pune gjatë dy viteve të fundit, duke rritur punësimin me 6.8%. Paralelisht me të, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës u rrit me 8.9 pikë përqindjeje, e nxitur kryesisht nga rritja e pjesëmarrjes së femrave, ndërsa norma e papunësisë ka zbritur në minimume historike dhe shkalla e inaktivitetit ka ardhur në rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë