Moti

Fundjava nën të nxehtin afrikan me 43 gradë, në gusht kthehen temperaturat normale

Nga Gazeta Si - Kjo fundjavë mbetet pjesërisht nën ndikimin e të nxehtit afrikan duke bërë që temperaturat të arrijnë deri në 43 gradë. Qarqet më të nxehta janë Elbasani, Berati dhe Gjirokastra ndërsa qarku i Korçës është më i freskëti, me temperatura që arrijnë deri në 37 gradë celcius.

Në zonat bregdetare, temperaturat janë disa gradë më të ulëta dhe të dielën pritet që temperaturat të ulen 2 deri në 3 gradë, duke bërë që maksimumet të jenë rreth 38 gradë ndërsa më e freskët pritet të jetë juglindja me rreth 37 gradë celsius.

Sa i përket kushteve të motit, do të kemi dominim të kthjellimeve dhe shumë pak vranësira, të fokusuara kryesisht në zonat malore por nuk priten reshje.

Ndërkohë, kjo fundjavë nis përmirësimin e motit për ditët dhe muajin në vijim.

Meteorologia Tanja Porja ka thënë për A2 CNN se temperaturat pritet që të ulen në vlerat normale gradualisht deri në fund të muajit dhe gushti do ketë temperaturat normale për muajin, edhe pse vendi ynë ka temperatura të larta por jo deri në vlerat që kanë arritur këto ditë.

“Dhe pak ditë është nxehtë dhe më pas do të jenë temperatura normale për verën. Nga e marta e javës që vjen temperaturat do ulen dhe gushti do jetë në vlerat normale për muajin”, thotë Porja.

Duke qenë se Shqipëria është një nga vendet e përfshira nga temperaturat e larta që ka sjellë vala e të nxehtit Cerberus, sipas emrit të bishës mitike me tre koka të Dante Aligerit, ditën e martë do jetë kulmi i fundit sepse jo më kot është quajtur cerberus me tre koka, për shkak të tre kulmeve.

“Një tjetër kulm e presim ditën e martë që është kulmi i fundit i kësaj vale, kur termometri do të ngjitet në 41-42 gradë dhe më pas do të kemi, pas të mërkurës, tërheqje graduale të valëve. Temperaturat nuk do jenë kaq ekstreme, por do mbetemi sërish në 37-38 gradë”, tha për median Lajda Porja, meteorologe.

“Në gusht temperaturat do jenë 37-38 gradë celsius. Nuk kemi vlera ekstreme 40-41 gradë. Megjithatë na pret një gusht i nxehtë. Nuk përjashtohet një tjetër valë, por nuk do kemi një valë kaq të egër si ajo e korrikut. Stuhitë tropikale do jenë prezentë, por të izoluara dhe jo problematike. Për momentin nuk ka reshje. Nuk kemi sinjale për reshje si Kroacia, Bosnja. Shqipëria do jetë me mot të kthjellët dhe të nxehtë, të paktën deri në javën e parë të gushtit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë