Kosova

Edhe Franca reagon ashpër ndaj operacionit në veri: Veprime të reja të njëanshme të Kosovës

Nga Gazeta 'Si' - Franca ka reaguar pas operacionit të Policisë së Kosovës në veri gjatë së hënës ku u bastisën disa zyra financiare të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”.

Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së franceze, thuhet se janë të shqetësuar me operacionin e fundit,

Po ashtu, Franca i quan veprimet e Kosovës “të njëanshme” dhe thotë se të njëjtat kontribuojnë në eskalimin e situatës.

“Franca është e shqetësuar me operacionet e fundit të policisë kosovare që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në eskalimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ato ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.” – thuhet aty.

Në fund të komunikatës shkruan:

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajojmë të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë