Futboll

Edhe Bajerni do Kumbullën, Tare takon të afërmit për ta bllokuar

Lacio vazhdon të ëndërrojë për titullin kampion në Serinë A, por edhe për merkaton. Objektivi kryesor i Igli Tares për verën është mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla. Talenti i datëlindjes 2000 është protagonist i një sezoni të jashtëzakonshëm me fanellën e Veronës dhe radha për të është shumë e gjatë. Futbollisti 20-vjeçar kërkohet nga klubet më të mëdha në Itali, Gjermani dhe Angli.

Për lojtarin e Kombëtares shqiptare rritet çdo ditë e më shumë interesimi i klubeve të njohura, rrjedhimisht edhe vlera e lojtarit në treg. Agjenti i Kumbullës, Xhani Vitali, tregon me detaje listën e klubeve që janë vënë në radhë për mbrojtësin, duke përmendur edhe Lacion, madje të parin. “Po, ka vërtet një radhë të gjatë për Marash Kumbullën. Lacio, Napoli, Fiorentina, Interi dhe Juventusi sa i takon Italisë, por janë edhe klube të tjera europiane që e duan”, - thotë Vitali. Interesim konkret ka edhe nga Bundesliga. Sipas “Bild”, Bajern Mynih, Bajern Leverkusen dhe Borusia Dortmund kanë gati ofertat për futbollistin e Veronës.

https://youtu.be/2eDbNduzb74
Disa momente nga loja e Kumbullës ndaj Juventusit. Gazeta Si, 12 shkurt 2020

Një konkurrencë e frikshme, por Igli Tare, si gjithmonë, nuk dorëzohet. Drejtorit shqiptar të Lacios i pëlqen shumë Kumbulla dhe ai ka folur me të afërmit e mbrojtësit, duke tentuar bllokimin e lojtarit që në këtë moment. Në fund do të vendosë dëshira e vetë Kumbullës, i cili ka si synim të luajë sa më shumë. Në janar nuk shkoi te Napoli pikërisht për të fituar sa më shumë kohë për të vlerësuar situatën dhe për të marrë vendimin e duhur për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë