Njerez

Edhe administrata po emigron / Të rinjtë në kërkim të ‘ëndrrës amerikane’

Në ditën e fundit të aplikimeve për llotarinë amerikane, vërehet bum aplikimesh nga punonjës të administratës publike.

Elona është specialiste në një nga drejtoritë e një prej kompanive publike më të njohura në vend. Vajza me profesion ekonomiste është 33 vjeç dhe beqare. Për gazetën “SI”, Elona tregon se në sektorin e saj kanë aplikuar për llotarinë amerikane afro 90% e punonjëseve.

“Beqare dhe të martuara, por më shumë jemi ne beqaret që duam të ikim. Nuk kam asnjë njeri në SHBA, por jam gati t’ja nis nga e para. Këtu nuk jetoj dot më”, thotë e reja.

Pas saj, një tjetër vajzë e hijshme, drejtohet nga kompjuteri i një prej djemve që ka marrë përsipër tua bëjë aplikimet atyre që dëshirojnë të emigrojnë në SHBA.

“Na kanë thënë se një nga djemtë e kompanisë e njeh mirë procesin dhe kemi bërë aplikimin pothuajse të gjitha tek kompjuteri i tij”, thotë Elona.

Por sipas saj, edhe në sektorë të tjerë brenda kësaj kompanie, përflitet për shtim të aplikimeve për këtë vit. Të gjitha vajzat me arsim të lartë duan të emigrojnë në Amerikë.

“Duam të emigrojmë, na tërheq Amerika. E dimë që është vendi i mundësive. Atje s’na pret kush, por dhe këtu s’na mban kush”, thotë Denada e datëlindjes 1999, e cila sapo përfundoi dhe ajo aplikimin e saj.

Ndërsa një djalë i ri, 26 vjeç, me profesion specialist IT, Kastrioti, thotë se nuk heq dorë nga llotaria amerikane.

“Unë punoj në administratë dhe e di që profesioni im është i kërkuar. E pëlqej Amerikën dhe dua të provoj ëndërrën amerikane. Të paktën atje do jem i   mirëpaguar. Këtu punoj 8 orë për një pagë 800 euro ndërsa jashtë do të paguhem më e pakta 3 fish”, thotë Kastrioti.

Ndërsa një tjetër specialist në drejtorinë e burimeve njerëzore, në një prej kompanive publike, thotë se ka aplikuar bashkë me gruan.

“Unë jam me arsim të lartë, por jam i pakënaqur me pagat që marrim. Përveç kësaj, e mendoj emigrimin si një mundësi jetese më e mirë për vajzën, për ta shkolluar dhe për ti ofruar asaj një të ardhme më të mirë se çfarë kemi unë e bashkëshortja”, thotë Renaldo, specialist i burimeve njerëzore.

Ëndrra amerikane i ka tërhequr të gjithë si me magnet. Pa vrarë mendjen për sfidat, vështirësitë e përshtatjes, askush nuk mendon se me çfarë kosto do ta paguajnë emigrimin, por ikja duket tashmë e pakthyeshme, të paktën përmes aplikimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë