Muzike

Ed Sheeran këndon gjatë gjyqit për të drejtat e autorit

Ed Sheeran këndoi dhe luajti në kitarë në tribunën e dëshmitarit në një sallë gjyqi dje në Manhattan, në një përpjekje për të hedhur poshtë akuzat se kënga e tij hit “Thinking Out Loud” është një “vjedhje” e këngës “Let’s Get it On” të Marvin Gaye.

Në ditën e tretë të gjyqit, Sheeran nxori një kitarë akustike dhe nisi të këndonte shkurtimisht ato që ai tha se ishin tekstet origjinale të këngës së tij.

Sheeran kujtoi se këngën e kishte shkruar një mbrëmje në fillim të vitit 2014 në shtëpinë e tij në Angli, në një bashkëpunim me tekstshkruesen dhe shoqen e tij, Amy Wadge.

Për të shkruar tekstin e këngës, Sheeran tha se ishte frymëzuar nga gjyshi i tij, i cili sapo kishte vdekur, dhe gjyshja e tij, e cila nuk ishte në gjendje të ecte për shkak të sëmundjes së kancerit.

Sheeran, 32 vjeç, është akuzuar për vjedhje nga disa muzikantë me ngjyrë dhe po përballet me dy padi të tjera në lidhje me këngën “Let’s Get It On”, të sjellë nga Structured Asset Sales LLC, e cila zotëron një të tretën e të drejtave të “Townsend”.

Familja e Gaye ka ngritur padi të ngjashme edhe më herët, duke përfshirë padinë kundër këngëtarit Robin Thicke dhe producentit Pharrell Williams me “Blurred Lines”, në 2015, për kopjimin e këngës “Got to Give It Up” të Gaye.

Nëse juria e sheh yllin e popit përgjegjës për shkeljen e të drejtave të autorit, gjyqi do të hyjë në një fazë të dytë për të përcaktuar dëmet financiare. Sheeran pritet të rifillojë dëshminë e tij të hënën.

Kjo nuk është hera e parë që Sheeran përballet me probleme ligjore. Ai shkoi në gjyq edhe për këngën ‘Shape of You’. Artisti u akuzua se kishte përdorur pjesë nga një këngë e vitit 2015 nga Sami Chokri dhe Ross O’Donoghue. Megjithatë, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se nuk kishte plagjiaturë. Ndërkaq, Sheeran tha se:

“Shpresoj që ky vendim do të thotë që në të ardhmen pretendimet e pabaza si ky mund të shmangen. Kjo me të vërtetë duhet të marrë fund. Është vërtet e dëmshme për industrinë. Rastësia do të ndodhë nëse 60,000 këngë publikohen çdo ditë në Spotify”.

Kënga “Shape of You” i solli Sheeranit dhe partnerëve të tij përfitime prej rreth 5.8 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë