Motosport

Ecclestone i përgjigjet akuzave të Hamilton: S’jam racist

Bernie Ecclestone nuk është dakord me akuzat e ngritura ndaj tij e, pas përgjigjes së Liberty Media dhe akuzave të ashpra të kampionit të botës Lewis Hamilton për fjalët e tij në lidhje me temën e racizmit, ka shpjeguar këndvështrimin e tij. Në një intervistë për ‘The Mail’, ish-pronari i Formula 1 theksoi: se “Nuk jam kundër të zinjve, përkundrazi e kundërta. Kam qenë gjithnjë në favor. I ati i Lewis donte të bënte biznes me mua, nuk do ta kisha marrë në konsideratë nëse do isha kundër të zinjve”.

“Gjatë viteve kam takuar shumë persona të bardhë që nuk më pëlqenin, por kurrë një njeri me ngjyrë që nuk më ka pëlqyer. Jam grabitur disa herë, një herë nga tre të zinj. Përfundova në spital, por edhe pas kësaj nuk kam qenë kundër askujt pse ishte i zi. Nuk e mendoj Lewis si një të zi apo diçka tjetër. Është thjesht Lewis për mua. Nëse një të ziu apo një të bardhi i refuzohet një vend pune, duhet të pyesë veten përse’. Për shkak të ngjyrës së lëkurës apo përse nuk ishin të aftë për atë punë? Kjo ishte ajo që po thosha”, shtoi ai.

Pastaj, një shigjetim edhe për Liberty Media: “Jam i lumtur që thanë se nuk jam i përfshirë në Formula 1, të paktën nuk mund të fajësohem për gjithë gjërat që nuk kanë bërë. Kërcyen përpjetë për këtë gjënë e racizmit papritur për shkak të ngjarjeve në Amerikë. Të më ndalojnë garat? Do t'i këshilloja mos ta bënin. Mund ta provojnë në Rusi, por mendoj se do arrija të merrja një lejekalimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë